Erion Veliaj “zbarkon” tek afganët, u mban fjalim për vuajtjet e veta: Isha refugjat si ju, eca tre ditë nga mali për të vajtur në Greqi!

Erion Veliaj “zbarkon” tek afganët, u mban…

Kryebashkiaku Erion Veliaj, është paraqitur ditën e sotme në Qytetin Studenti, ku takoi një numër të konsiderueshëm të refugjatëve afganë, që kanë mbërritur në vendin tonë.

Duke qenë se në këtë proces, që nga mbërritja e afganëve dhe deri tek strehimi i tyre, kanë marrë pjesë dendurisht, Edi Rama, Olta Xhaçka dhe Yuri Kim, kryebashkiaku është ndjerë shumë i mënjanuar, ndaj sot, kur Edi Rama nuk është fare në Shqipëri, ka gjetur momentin për të “shpërthyer” para kamerave të veta, ashtu siç di ta bëjë vetëm ai.

Fillimisht, Veliaj takoi disa fëmijë që po luanin në oborrin e njërës prej godinave në Qytetin Studenti. Pasi u përqafua dhe u puth me disa prej të pranishmëve, Veliaj u fut në ndërtesë ku e prisnin një grup afganësh dhe aty mbajti një fjalim.

Gjatë fjalimit, Veliaj u tha afganëve që edhe ai ka qenë dikur refugjatë si ata, pra duke u identifikuar menjëherë me hallin e madh që u ka rënë mbi kokë dhe duke i shpjeguar në këtë mënyrë, se sa shumë vuan një refugjat, veçanërisht në moshë të mitur.

Pas kalimit të menjëhershëm që i bëri statusit të vet, nga emigrant në  “refugjat 10 vjeçar”, Veliaj shpjegoi se si ka ecur për tre ditë nëpër male, për të mbërritur në Greqi.

Takova një djalë të vogël që donte të bëhej futbollist. Kur jam larguar nga Shqipëria si refugjat, kam qenë 10 vjeç dhe doja të bëhesha futbollist. Kemi ecur tre ditë për të shkuar nga mali në Greqi. Kështuqë kur dëgjoj historinë tuaj, qëndron fjala që thotë kryeministri, që edhe ne kaluam para 30 vitesh të njëjtën histori me Afganistanin. Në fillim të gushtit po kujtonim me kryeministrin, eksodin e madh të shqiptarëve, ka qenë një anije me emrin “Vlora”, 20 mijë veta në mes të detit për të shkuar në Itali“, tha Veliaj.

E vetmja gjë që i shpëtoi kryebashkiakut në këtë rrëfim dhe ngeli pa u treguar, është puna e tij e parë, pra shitja e fiqve në pazar.  Ndoshta këtë do ta tregojë për një grup tjetër afganësh, kur të gjejë ndonjë hapësirë bosh, domethënë kur në skenë të mos jetë Edi Rama, Olta Xhaçka ose Yuri Kim.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit