Erjon Braçe tha se Gjergj Luca nuk ka marrë as 1 tender; por ka marrë 2 milionë Euro e 144 000 m2 objekte e troje me 10-15 lekë/m2

Erjon Braçe tha se Gjergj Luca nuk…

Dokumente, që provojnë se edhe administratorja e “Rozafa”-s, është Zv/kryetare e PS dhe këshilltare e Bashkisë Elbasan/ Në muajin shtator 2020, Gjergj Luca mori falas për 10 vite liqenin Xarrë-Butrint dhe zaptoi 3000 m2 port në Shëngjin; madje Zv/kryeministri i ka firmosur vetë pronat troje e objekte, që Babloku i ka dhënë në Elbasan, Librazhd, Përrenjas e Gramsh pa ankand e pa asnjë qindarkë qira për 3 vite; deri sa i bleu me çmim sa 1 qese bosh; ndaj nuk është çudi që Luca të futet dhe në “llucën e asaj që nuk thuhet” për votat “Rilindjes” e jo të mos përleshet me grushta, me ata që janë kundër Bablokut.

Pas konfrontimit fizik, mes Gjergj Lucës e kandidatit të PD Luçiano Boçi, si dhe komenteve të shumta, që e cilësojnë Lucën si “zar e maskë” të vjedhjeve pasurore që kanë bërë Rama e Balla në Qarkun Elbasan, ka reaguar Zv/kryeministri Erjon Braçe. Me deklarimin tij në “FB”, Braçe ka tentuar të fshehë lidhjet e pista jo vetëm ekonomiketë Lucës me Bablokun e Ballën; duke thënë se Gjergj Luca nuk zvarriset e jargavitet nëpër zyrat e qeverisë, dhe se nuk paska marrë as “1 cent” tender nga “Rilindja”.

Deklarata e Barçes është mashtrim publik, mbasi sipas letrave të QKB, Kadastrës e vendimeve të qeverisë të firmosura nga vetë Braçe, ministra e drejtorë, rezulton se firma “Rozafa” e Gjergj Lucës, ka marrë miliona Euro tendera e qira, PPP detare e liqenore dhe objekte e troje shteti.

Nga muaji janar 2015 e deri në datën 8 mars 2021, Gjergj Luca ka marrë 2 milionë Euro fonde publike, për qira zyrash; që Babloku ia ka marrë për Doganën Portuale Lezhë; dhe për dreka e darka pune nga Ministria e Bujqësisë etj.

Zoti Braçe duhet ta di, se në vitin 2014, Gjergj Luca ka zaptuar edhe 3000 m2 truall jashtë kontratës 1200 m2 brenda Portit Shëngjin; të cilën me urdhër të Bablokut nuk i kanë hequr Kodheli, Gjiknuri, Xhaçka, Balluku, Ahmetaj e Denaj, duke ia lënë falas si Port Privat “Rozafa”.

Braçe e di, sepse e ka firmosur vetë ai dhe Çuci më 17.09.2020; PPP-në e liqenit Xarrë-Butrint, me afat 10 vite pa asnjë qindarkë qira, dhënë Lucës me ankand fiktiv nga Ministria e Bujqësisë.

Vetë Erjon Braçe, i ka firmosur edhe këto 4 vendime qeverie, për objekte dhe troje rezerva shteti e reparte ushtarake në Elbasan, Librazhd, Përrenjas e Gramsh; dhënë Gjergj Lucës pa as 1 qindarkë qira për 3 vite e prej 2 vitesh, ia kanë shitur me çmim 10-15 lekë/m2 (sa 1 qese bosh marketi).

Pasuria e parë/ Përfitues firma “Rozafa” me pronar Gjergj Luca; me VKM Nr. 873, datë 30.10.2015, pasuria “Objekte Rezervave të Shtetit, Labinot-Elbasan”, me sipërfaqe totale 52 mijë e 613 m2; nga të cilat objekte 13 mijë e 872 m2 dhe 38 mijë e 740 m2 truall i lirë.

Pasuria e dytë/ Përfitues firma “Rozafa” me pronar Gjergj Luca; me VKM Nr. 266, datë 29.03.2017, pasuria “Objekte Rezervat e Shtetit, Labinot-Elbasan” (shtesë), me sipërfaqe totale 52 mijë e 514 m2 ; nga të cilat objekte 11 mijë e 659 m2 dhe 40 mijë e 854 truall i lirë.

Pasuria e tretë/ Përfitues firma “Rozafa” me pronar Gjergj Luca; me VKM nr. 526, datë 25.07.2019, pasuria “Ish-Reparti Ushtarak nr. 5012/20” në Çekrez-Gramsh, me sipërfaqe totale 28 960 m2; nga të cilat objekte 4 185.48 m2 dhe 24 mijë 774 m2 truall i lirë.

Pasuria e katërt/ Përfitues firma “Rozafa” me pronar Gjergj Luca; me VKM nr. 701, datë 30.10.2019, pasuria Ish-Parku i Minierës së Hekur-Nikelit Përrenjas, me sipërfaqe totale 10 mijë e 287 m2; nga të cilat objekte 1 090 m2 dhe 9 196.8 m2 truall i lirë.

Ndërsa Erjon Braçe, del me maskë në “FB” e u thotë shqiptarëve, se Gjergj Luca, nuk ka asnjë lidhje me “Rilindjen” dhe asnjë pazar me qeverinë e asnjë përfitim prej asaj.

Me gjithë këto miliona Euro e 144 mijë m2 objekte dhe troje me çmim “falas”; Gjergj Luca mund të futet edhe në “llucën e asaj që nuk thuhet” për votat “Rilindjes” e jo më, të mos përleshet me grushta me ata që duan t’i marrin “tepsinë” e pushtetit Bablokut./Pamfleti

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit