Ervin Metalla, iku si i "korruptuar" por u bë avokat; Përse nuk i sekuestrohet pasuria dhe lihet ende në gjyqësor?!

Ervin Metalla, iku si i “korruptuar” por…

Në vitet 2000, Ervin Metalla u fut në sistemin gjyqësor me një pasuri prej 3 milionë lekësh të vjetra. Në 2018, kur edhe u shkarkua, ai kishte një pasuri të deklaruar prej 167 milionë lekësh. Ai e përdori gjyqësorin për “biznesin” e tij, pasi nëse do të llogarisim edhe pasuritë e “fshehura” në emër të të vëllait apo familjarëve të tjerë, atëherë shuma e deklaruar dhjetëfishohet. Por, absurditeti i këtyre njerëzve “të papërshtatshëm” për drejtësinë është se ata vazhdojnë të enden në dyert apo zyrat e gjykatave dhe prokurorisë. Pikërisht në ato vende që me praninë e tyre i “bënë pis” për një kohë të gjatë. Dhe, me lidhjet miqësore dhe shoqërore, vijojnë të bëjnë “ndere” njerëzve të besuar. Një i tillë është edhe Ervin Metalla, një nga të shkarkuarit e parë të Vetingut. Vijon të endet në zyrat e ish-kolegëve, ndërsa me paturpësinë më të madhe, përfaqëson klientë të ndryshëm në ambientet e gjykatës. Por, a u përjashtua nga gjyqësori si i papërshtatshëm? Që prishte figurën e gjyqtarit? Apo për krijimin e pasurive të mëdha nga gjyqësori? Atij, jo vetëm që nuk i sekuestrohet pasuria, por me kontrata të dyshimta po e dhjetëfishon. Tashmë, duke mbrojtur bizneset që ka krijuar nga puna në gjyqësor. Në këtë hulumtim, do të faktojmë se ish-gjyqtari, me këto para’ të krijuara nga puna në gjyqësor, po mbron persona me precedentë të theksuar kriminalë. Madje, edhe Arben Relin, “biznesmenin” që pasurinë e ka ngritur me falsifikime, tjetërsime, mashtrime.

Të ndalemi te pasuria e z.Metalla, aktualisht avokat. Hulumtuam ato çka deklaruar ai apo familjarët e tij, teksa bilancet ngjasojnë me një firmë që xhiron miliona euro në vit. Nga ato firmat e oligarkëve që lakohen në media. Dhe, e tillë është pasuria e Ervin Metallës, që postulatin “Vendim në emër të Republikës”, e ktheu si markë për biznesin e tij familjar. Ai ka deklaruar apartament, garazh në Tiranë me vlerë 55 mijë euro. Gjithashtu edhe objekt banimi 80 metër katrorë, një shtesë të ndërtuar në një pallat, të legalizuar më vonë. Në këtë banesë jetonte dhe, duke përdorur njohjet e tij, e bleu për një “copë bukë” dhe më pas e bëri me dokumente. Thotë se ka marrë kredi në një bankë të nivelit të dytë në shumën prej 58.500 euro, ndërsa ka pasaktësi të mëdha në deklarimet e vlerës së apartamentit. Në fillim 55 mijë euro, më pas 75!

Ndërkohë, në vendim janë analizuar edhe veprimet e familjarëve të tij, ku rezulton se i ka paguar edhe kredinë. Ky person tjetër ka pasuri disa apartamente, ndërsa deklaron njëherë 44 mijë euro, njëherë tjetër 13.500 euro. Më pas ka investuar në bono thesari të BSH-së, vlerat 10.000.000 lekë, ka deklaruar 50.000 euro të dhëna hua një shoqërie. Gjithashtu edhe 5.000.000 lekë të depozituara në një shoqëri, ka shitur autovetura 1.200.000 lekësh në 2015 – 2016 ka investuar në bono thesari 12.000.000 lekë, transferim për vëllanë E. M. vlerën prej 2.000.000 lekësh. Në gusht 2017 ka kaluar në depozitë me afat vlerën prej 101.340 eurosh.

Shuma, që edhe po ti mbledhësh do të lodhesh! Familjarët e z.avokat i kanë bërë gjithë këto pasuri me “punë krahu” në Itali, madje me dokumente “Permesso di

Soggiorno per Stranieri“. Në fund, KPK vendosi që veprimet financiare të gjyqtarit Ervin Metalla “nuk përputhen me sjelljet etike që një gjyqtar pritet të ketë”.  Por, nëse këto veprime konsiderohen të paligjshme, përse nuk i sekuestrohet pasuria? Dhe, për më tepër, ai lejohet që të punojë si avokat. Nëse ka pasur këtë sjelle, karakteri i tij nuk do të ndryshojë dhe do të veprojë sërish me këto veprime. Përse nuk i hiqet licenca e avokatit? Kush e mbron këtë gjyqtar?

Natyrisht, që z.Metalla ka krijuar një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh, në gjyqësor dhe në biznes, ku po inveson pasuritë e tij të krijuara nga “biznesi” në gjyqësor. Ka dyshime të forta se pasuria e tij u investua në kompleksin “Morava Resort” në Korçë, kompleks i cili me mashtrime me pasoja të rënda dhe falsifikime të mëdha iu mor pronarëve dhe u emërtua “Montrelux”. Ervin Metalla po bashkëpunon ngushtë me Arben Relin. Ky i fundit humbi gjyqin me bashkëortakun S.B për këtë kompleks. “Rezulton sërish në përputhje me procedurat ligjore dhe kompetencën e parashikuar nga ligji, pala e paditur ASHK Korçë ka vepruar administrativisht duke emëtuar lejen e re të legalizimit në emër të dy bashkëpronarëve z.Arben Reli dhe z.S.B. – Pretendimi i palës paditëse për pavlefshmëri absolute të aktit administrativ është i pabazuar në ligj” shkruhet e zeza mbi të bardhë në vendimin e Gjykatës Administrative. Tashmë është shumë e qartë se çfarë veprimesh ka kryer Reli dhe “banda” e tij me “Morava Resort”. Askush nga njerëzit e drejtësisë (apo të përjashtuarit nga Vetingu) nuk mund ta shpëtojnë nga ligji. Më poshtë po rendisim veprat penale që janë regjistruar në Prokurorinë e Tiranës dhe në Prokurorinë e Korçës për Arben Relin. Akuza e parë është ndërtimi pa leje, që dënohet me burgim nga 3 deri në 8 vjet. Në Korçë po hetohet dosja 664, për “Shpërdorim detyre”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Ndërtim pa leje”, Prerje e paligjshme pyjesh”. Të gjitha ndërtimet janë bërë për arsye përfitimi, akuza të cilat kapin burg mbi 10 vite burg.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit