
Mbrëmjen e të hënës, me urdhër të SPAK pas zbulimit të disa komunikimeve është arrestuar ish-drejtori i policisë së Tiranës Erzen Breçani. Ai akuzohet për pastrim parash dhe përkrahje të autorit të krimit në disa ngjarje kriminale. Ndërkohë që mes personave të shpallur në kërkim është edhe djali i tij Eralbi Breçani që jeton jashtë Shqipërisë dhe Ervin Mata. Tre personat e sipërpërmendur, jo vetëm që njihen, por edhe janë një familje. Kjo për shkak të krushqisë që kanë krijuar me njëri-tjetrin.
Djali i Erzen Breçanit, Eralbi është martuar me motrën e Ervin Matës. Pikërisht për shkak të kësaj krushqie, dyshohet se ky i fundit është ndihmuar nga ish-drejtori i Policisë për të vijuar veprimtarinë e tij kriminale. Ervin Mata, është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, pas përfshirjes në një ngjarje të rëndë në zonën e ish-Bllokut, ngjarje e ndodhur në vitin 2018, ku mbeti i vrarë Fabjol Gaxha dhe u plagosën dy të tjerë, Ervis Martinaj dhe Eljon Hato.
Dyshohet se Mata ka përdorur pikërisht këtë njohje familjare dhe është përkrahur në veprimtarinë e tij kriminale nga Breçani, por edhe është ndihmuar që të largohet nga Shqipëria në vitin 2018, kur ndodhi vrasja në ish-Bllok. Ervin Mata me nofkën “Boli”, pas ngajrjes u vetëdorëzua pas 6 muajsh në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ku dëshmoi dhe tregoi gjithçka ndodhi natën e 4 tetorit 2018. Mata mohoi në atë kohë që të ketë qëlluar me armë, apo edhe me grusht. Arratinë për gati 6 muaj, ai e argumentoi me faktin se ishte larguar pasi ishte i frikësuar.
Ndërkohë, Erzen Breçani në studio televizive dilte si ekspert që dinte rreth ngjarjeve kriminale dhe jepte mend sesi luftohet krimi dhe mbrohet jeta e qytetarëve. Pa e ditur se Breçani kishte mbi supe një sërë ngjarjesh që do ta çonin drejt arrestimit, shqiptarët dëgjonin sesi krushku i Ervin Matës fliste për krimin. Për Erzen Breçanin rëndojnë akuzat e pastrimit të parave por edhe përkrahja e autorit të krimit, ndërsa Mata dhe kunati i tij, pra djali i Erzeni, akuzohen për shpërndarje të drogës në të gjithë Europën.