Euro 2024/ Silvinjo për BBC: Nuk po shkojmë atje për qejf

Euro 2024/ Silvinjo për BBC: Nuk po…

Silvinjo nuk mund ta imagjinonte kurrë se pas një darke me Presidentin e FSHF-së në Milano, do të merrte drejtimin e ekipit kombëtar të Shqipërisë.

Në fillim të 2023-shit, ai mbërriti në zyrën e tij në Tiranë me ish-mbrojtësin e City-t dhe West Ham-it, Pablo Zabaletën dhe ish-mesfushorin e Middlesbrough, Doriva, si ndihmës të tij. Në total, ata panë 240 vieo të disa ndeshjeve për të patur një listë fillestare të 70 futbollistëve duke i shkurtuar në 39 dhe përfundimisht në 23 për ndeshjen hapëse me Poloninë për kualifikueset e Euro 2024.

Silvinjo, pas barazimit në Moldavi që siguroi kualifikimin në Euro 2024

Mes tyre ishte edhe sulmuesi anësor i Wycombe, Anis Mehmeti. Ai nuk kishte luajtur kurrë për kombëtaren A të Shqipërisë deri në atë moment, por u ftua si pjesë e një procesi rindërtimi skuadre që nisi Silvinjo që nga dita e parë.

“Zaba [Zabaleta] luajti për një kohë të gjatë në Angli kështu që ka ende kontakte atje dhe na solli disa informacione për Mehmetin. Ne nisëm ta shikonim në ndeshjet e Ligës së Parë, por pas kësaj firmosi me Bristol City në Championship, duke na bërë të mendonim, “Ok, potencialin që po e shikojmë këtu, po e shohin edhe të tjerë gjithashtu”. E dinim se ka shumë shqiptarë të tjerë si ai që luajnë jashtë vendit”, tha Silvinjo për BBC Sport.

Dhe puna u shpërblye. Pavarësisht humbjes në ndeshjen e parë 1-0 me Poloninë, Shqipëria qëndroi e pamposhtur deri në fund të fushatës eliminatore, duke përfunduar në krye të grupit dhe duke siguruar kualifikimin në Europian që në ndeshjen e parafundit. Kjo arritje e bëri Silvinjon të fitojë statusin e një heroi.

Kombëtarja shqiptare në stërvitje

Kjo është hera e dytë në histori që “Shqiponjat” do të marrin pjesë në Europian, pasi bënë debutimin në vitin 2016.

“Jetoj në një hotel që është rreth 2 kilometra larg nga ndërtesa e FSHF-së, kështu që ndonjëherë eci drejt shtëpisë përmes një parku të bukur dhe takohem me tifozët. Zakonisht më vijnë dhe më thonë “respekte, Mister””, tregon i buzëqeshur trajneri 50-vjeçar.

Nuk do të jetë e lehtë në Gjermani, pasi shorti i vendosi shqiptarët bashkë me kampionët në fuqi Italinë dhe Kroacinë e Spanjën.

“Nuk po shkojmë atje për qejf. Puna jonë nuk ka përfunduar dhe nëse ka ndonjë shans për të përparuar në fazën me eliminim direkt, do të luftojmë njësoj siç bëmë në kualifikuese”, tha ai.

Jasi Asani gjatë miqësores me Lihtenshtejnin. Shqipëria fitoi 3-0

Gjetja e anësorit perfekt në Korenë e Jugut

Silvinjo nuk është i huaj në futbollin ndërkombëtar. Më herët ai ka punuar si ndihmës në ekipin kombëtar të Brazilit në vitet 2016-2019. Megjithatë, kjo ka qenë një eksperiencë ndryshe. Një prej vendimeve të tij në stolin e Shqipërisë ishte heqja e formacionit 3-5-2 e përshtatur nga paraardhësit e tij dhe ndërrimi me formacionin 4-3-3.

Kishte vetëm një çështje që duhej ta zgjidhte e që nuk ishte mësuar ta kishte në atdhe. I nevojitej një sulmues anësor i djathtë që gjuan me të majtën për ta bërë skemën funksionale, duke dalë në dy emra. Një prej tyre ishte 29-vjeçari Jasir Asani, që luan në Korenë e Jugut.

“Po shikonim video nga koha e tij në futbollin hungarez dhe unë pyeta “kush është ky?”. Kishte gjithçka që po kërkoja. Ishte shumë i mirë në situatat një kundër një, gjuante mirë dhe ishte i shpejtë. Kështu që për disa të shtuna duhej të shkonim në zyrë që në orën 09:00 që të shikonim ndeshjet e tij për shkak të diferencave kohore”, tha Silvinjo.

Në fund, gjithçka ia vlejti. Asani, i lindur në Maqedoninë e Veriut, pati një impakt të madh dhe i përfundoi kualifikueset me 3 gola e 2 asist.

“Dinë si ta godasin topin nga distanca”

Silvinjo beson fort se asgjë nga këto nuk do të ndodhte nëse nuk do të kishte vendosur të linte familjen në Porto e të lëvizte në një dhomë hoteli në Tiranë.

“Ato më thanë se kanë kuptuar që kjo do të funksionojë momentin që njoftova se do të jetoj këtu. Më ka ndihmuar të kuptoj plotësisht identitetin vendas dhe të jem 100% i fokusuar në punë”, tha trajneri, takimet e të cilit më së shumti kryhen në italisht.

Stili i tij agresiv dhe sulmues ka impresionuar edhe tifozët më skeptikë, të cilët nuk ishin të bindur nga aventurat e kaluara të Silvinjos në drejtimin e Lionit dhe Korinthiasit. Shqipëria ka marrë titujt kryesorë tëe lajmeve në veçanti pas supergolave që shënoi në rrugën drejt Gjermanisë.

“Ata [lojtarët] dinë si ta gjuajnë topin nga distanca. E kanë diçka të tyre, e duan këtë gjë dhe i nxis që ta bëjnë. Nëse e ndjejnë që është gjëja më e mirë për të bërë, jepini, gjuajeni topin drejt portës”, tha trajneri.

Shkrim nga BBC

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit