Euro po fundos qumështin shqiptar, prodhimi vendas në rënie bashkë me blegtorinë

Euro po fundos qumështin shqiptar, prodhimi vendas…

Gjatë vitit të shkuar, sasia e qumështit të grumbulluar shënoi rënie me 8% në krahasim me vitin 2022. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, sasia e qumështit të grumbulluar në 2023 rezulton rreth 101 mijë tonë.

Referuar këtyre të dhënave, në vitin 2023, sasia e qumështit të lopës të grumbulluar është rreth 80 mijë tonë, duke pësuar rënie me rreth 7,6%, krahasuar me 2022. Sasia e grumbulluar e qumështit të deles ishte rreth 13 mijë tonë, duke shënuar rënie me rreth 10,6%, krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, sasia e grumbulluar e qumështit nga dhitë është rreth 8 mijë tonë, duke shënuar rënie me 8,2%, krahasuar me vitin 2022.

Rënia e  prodhimit të qumështit ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe te bulmeti, kryesisht djathi pasi aasia e prodhuar e djathit gjithsej pësoi rënie me 7,7%. I vetmi që pësoi rritje ishte djathi nga qumështi i dhisë me 0,6%, djathi i prodhuar nga qumështi i deles shënoi rënie me 12,9% ashtu sikurse edhe djathi i prodhuar nga qumështi i lopës që pësoi rënie me 7,3%.

Ndër faktorët që kanë ndikuar në rënien e prodhimit të qumështit përmendet rënia e krerëve të bagëtive, lopë , dele apo dhi, sasia e ulët e subvencioneve ndaj fermerëve por edhe rritja e produkteve të importuara.

Prodhuesit e qumështit por edhe përpunuesit e tij thonë se importi i ndikuar nga rënia e vlerës së euros ka dobësuar bizneset e tyre pasi produktet e importuara po shiten me çmime më të lira.

Ndonëse të përballur me problemin e reduktimit të qumështit shqiptar, problem për përpunuesit në vend mbetet mbizotërimi i produkteve të importit.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit