Muaji gusht ka nisur me një tjetër rënie të Euros në raport me Lekun. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, ditën e sotme 1 euro u këmbye me 93.36 lekë, duke shënuar nivelin më të ulët historik.
Që nga fillimi i vitit 2026, monedha europiane është zhvlerësuar me 3.5% kundrejt Lekut, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar rënia arrin në 4.15%.
Tendenca e zhvlerësimit ndaj Lekut ka më shumë se një dekadë që vazhdon dhe është përforcuar ndjeshëm pas pandemisë, paralelisht me zgjerimin e sektorit të turizmit dhe tregut të pasurive të paluajtshme.
Ndërkohë, tregu i pasurive të paluajtshme vijon të tërheqë një pjesë gjithnjë e më të madhe të investimeve të huaja. Në tremujorin e parë të këtij viti, investimet në këtë sektor arritën në 172 milionë euro, ose 65% më shumë se një vit më parë, duke përfaqësuar afro 43% të totalit të investimeve të huaja direkte.
Në fund të tremujorit të parë, stoku i investimeve të huaja në pasuri të paluajtshme arriti në rreth 2.83 miliardë euro, një rritje prej 486% krahasuar me fillimin e vitit 2020.