Europetrol-Eida helmoi Gjanicën për të kursyer para!

Europetrol-Eida helmoi Gjanicën për të kursyer para!

Për të kursyer shpenzimet e pastrimit të mbetjeve të naftës, një kompani e lidhur me grupin Europetrol, i njohur edhe për rrjetin e karburanteve Eida, akuzohet se ka ndotur lumin Gjanica në Fier.

Një rast skandaloz, ku sipas hetimeve të Prokurorisë, interesi financiar i kompanisë është vendosur mbi mbrojtjen e mjedisit dhe të një prej lumenjve më të ndotur në vend.

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq kompaninë Al Global Oil, që administron Uzinën e Përpunimit të Naftës në Fier, si dhe drejtuesin teknik Robert Shehaj. Ata akuzohen për veprën penale “Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”, ndërsa dosja hetimore nxjerr në pah një praktikë shqetësuese të shkarkimit të ujërave të ndotura me hidrokarbure.

Sipas organit të akuzës, ujërat teknologjike të uzinës në Drizë duhej të trajtoheshin përpara shkarkimit, në përputhje me lejen mjedisore. Por në vend që të sigurohej trajtimi i tyre, mbetjet përfundonin në një përrua, i cili vetëm 17 metra më tej derdhej në lumin Gjanica. Arsyeja ekonomike e evidentuar nga hetuesit është edhe më tronditëse: kompania kursente kostot e trajtimit dhe transportit të këtyre ujërave.

Analizat laboratorike kanë zbuluar se përqendrimi i produkteve të naftës në një nga kampionet e shkarkimit arrinte në 13.8 mg/l, ndërkohë që kufiri i lejuar ishte 10 mg/l. Ujërat e shkarkuara janë klasifikuar në kategorinë më të keqe të cilësisë, duke ngritur shqetësime serioze për dëmin e shkaktuar në ekosistemin e Gjanicës.

Ajo që e rëndon edhe më shumë këtë histori është fakti se shkarkimet e ujërave të ndotura vijuan edhe pas ndërprerjes së aktivitetit të uzinës. Sipas Prokurorisë, drejtuesi teknik kishte dijeni për pikën e shkarkimit dhe mundësinë për të ndërhyrë, por nuk mori masat e nevojshme.

Në këtë histori, përfitimi ekonomik rezulton të ketë qenë më i rëndësishëm se detyrimi për të mos ndotur lumin. Ndërsa kompanitë e naftës qarkullojnë shuma të mëdha parash, Gjanica vazhdon të përballet me pasojat e ndotjes industriale. Rasti ngre një pyetje të fortë edhe për institucionet përgjegjëse: ku ishin kontrollet dhe si u lejua që shkarkimet të vazhdonin?

Tashmë çështja është në duart e drejtësisë dhe përgjegjësia penale mbetet për t’u përcaktuar nga gjykata. Por një gjë është e qartë: lumenjtë e Shqipërisë nuk mund të trajtohen si kanalizime private ku kompanitë shkarkojnë mbetjet për të shtuar fitimet. Dëmi mjedisor nuk duhet të jetë kostoja që paguajnë qytetarët për kursimet e bizneseve të mëdha.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit