Qeveria akordoi 4 milionë euro për organizimin e koncertit të Kanye West, me pretendimin se eventi do t’i sillte ekonomisë shqiptare deri në 100 milionë euro përfitime. Por nëse një aktivitet financohet me paratë e taksapaguesve, minimumi që duhet të garantohet është zbatimi i ligjit. Në vend të kësaj, mijëra qytetarë paguanin për shërbime pa marrë as biletë dhe as kupon tatimor.
Në urbanët që transportonin pjesëmarrësit drejt “Eagle Stadium”, udhëtarët paguanin 100 lekë për vajtje dhe 100 lekë për kthim, por askush nuk pajisej me biletë. E njëjta situatë u përsërit edhe në stendat e ushqimeve dhe pijeve. Një shishe ujë shitej 200 lekë, një sanduiç deri në 1,500 lekë, por kuponi tatimor mungonte. Sikur tëmos mjaftonte kjo, shitësit të mbanin edhe lekët kur nuk kishin të kthenin kusur. Kur mijëra transaksione kryhen pa dokument fiskal, lind pyetja e thjeshtë, ku përfunduan të gjitha këto para dhe sa prej tyre u deklaruan?
Është paradoksale që qytetarët gjobiten për një kupon të palosur apo një faturë të humbur, ndërsa në një nga eventet më të mëdha të organizuara në vend, ku qarkulluan shuma të konsiderueshme parash, mungesa e biletave dhe kuponëve ndodhte para syve të të gjithëve. Nëse shteti investon miliona euro me premtimin e “100 milionë eurove fitim”, atëherë duhet të tregojë fillimisht se si u fiskalizua çdo lek i mbledhur. Përndryshe, “fitimi për ekonominë” mbetet vetëm një slogan, ndërsa humbësi është sërish taksapaguesi shqiptar.