Evis Kushi optimiste për rikthimin e maturantëve në shkolla, u bën thirrje të respektojnë rregullat anticovi

Evis Kushi optimiste për rikthimin e maturantëve…

Ministrja e Arsimit Evis Kushi është shprehur optimiste për rikthimin e maturantëve në shkolla pas një viti të vështirë për të gjithë nxënësit dhe studentët.

Nëpërmjet një postimi në facebook ministrja ka njoftuar se rikthimi i maturantëve në shkolla do të bëhet duke ndjekur të gjitha protokollet e sigurisë.

Sipas Kushit shkollat e 10 bashkive që deri më tani janë konsideruar zona të kuqe janë gati për të mirëpritur nxënësit të cilët këtë vit duhet të kryejnë edhe provimet shtetërore të maturës.

“Jam optimiste për sugjerimin e fundit të Komitetit të Ekspertëve për rikthimin në bankat e shkollës të maturantëve nga 10 bashkitë që deri më sot konsideroheshin zona me rrezikshmëri të lartë infeksioni. Shkollat e mesme pranë këtyre bashkive janë plotësisht të përgatitura për të mirëpritur nxënësit sipas të gjithave protokolleve anti-COVID.”, ka shkruajtur ministrja e arsimit.

Kushi po ashtu i ka bërë thirrje nxënësve të respektojnë rregullat anticovid dhe ka kërkuar që të tregohen sa më të kujdesshëm.

“Duke falenderuar çdo nxënës, mësues e prind për mirëkuptimin e reflektuar deri më tani, apeloj fort që të jemi shumë të kujdeshëm në respektimin e rregullave me qëllim mbrojtjen e shëndetit të gjithsecilit dhe vijimin me një proces të rregullt mësimor.”

Ndërkohë sa i përket kthimit në auditore të studentëve nuk ka ende asnjë vendim.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit