Evra rrëfen jetën e vështirë kur ishte fëmijë: Lypja rrugëve të Parisit

Evra rrëfen jetën e vështirë kur ishte…

Patrice Evra prej rreth një viti i ka dhënë fund karrierës së tij futbollistike, që e pa atë të luante në nivelet më të larta të futbollit botëror me skuadra si Manchester United e Juventus, pa harruar këtu edhe përfaqësuesen e Francës ku për disa kohë mbajti edhe shiritin e kapitenit.

Mbrojtësi është një personazh shumë i veçantë, i cili në rrjetet sociale nuk resht së publikuari video për të treguar se është i lumtur.

Ai ka zbuluar se kjo dëshirë për lumturi i vinte nga periudha kur kishte qenë fëmijë dhe kishte vuajtur shpesh edhe urinë në rrugët e Parisit.

“Isha në Paris, por jetoja në rrugë e shpesh as nuk kisha me çfarë të ushqehesha. Më kujtohet që vëllai im, Dominik, punonte në një “McDonald’s” dhe në orën e tij të pushimit të drekës, më jepte nga ushqimet e tij”, shpjegoi Evra në një bisedë në faqen e klubit të Manchester United.

“Nuk kam turp të them që m’u desh të bëja lypsarin para dyqaneve. Ulesha para tyre dhe kur takohesha me njerëz u kërkoja monedha, kishte raste kur më jepnin, e të tjera jo, kërkoja para vetëm për të blerë një sanduiç”, shpjegoi ish-mbrojtësi francez.

Sipas tij, edhe ato ishin momente të lumtura të jetës. “Kam qenë gjithmonë i lumtur dhe kam pasur gjithmonë fat. Nuk do të ndryshoja asgjë nga jeta ime, do ta mbaja kështu si është pasi ndërtoi njeriun që jam sot. Shumë njerëz, kur ke sukses, shohin vetëm rezultatin përfundimtar, vetëm shohin në TV yllin. Por në realitet në rrugë mëson shumë dhe ajo më ndihmoi që të isha më i fortë”, tregoi Evra.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit