“Faji dhe turpi i takojnë abuzuesit!”, Shahini reagon për përdhunimin e 15 vjeçares: Fajin e ka media, raportoni drejtë!

“Faji dhe turpi i takojnë abuzuesit!”, Shahini…

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka reaguar më në fund pas shumë ditësh nga publikimi i rastit fatkeq të 15 vjeçares në Tiranë, e cila u përdhunua në mënyrë periodike nga roja i shkollës dhe disa djem të tjerë.

Ajo përpiqet të tregojë ndjeshmërinë e saj ndaj rastit, por nuk tregon asnjë vullnet për të marrë qoftë edhe përgjegjësinë minimale për rastin në fjalë.

Shahini thekson se për përdhunimin e 15 vjeçares, faji është vetëm i abuzuesit dhe askujt tjetër, teksa kritikon edhe median siç bën dhe kryeministri Rama. Ministrja thotë se media duhet t’i raportojë raste të tilla me drejtësi dhe jo me interpretime.

Kujtojmë se Partia Demokratike kërkon dorëheqjen e Besa Shahinit nga detyra e Ministres së Arsimit dhe Sportit. Ish-deputetja e PD Albana Vokshi mbështet kërkesën e të rinjve dhe thekson se heshtja e Shahinit për rastin e të miturës së përdhunuar dhe më pas të abuzuar në shkollë është abuzim për së dyti me vajzën.

Deklarata e plotë e ministres Besa Shahini:

Jam zemërthyer për secilin rast të ngacmimit apo abuzimit seksual me të mitur, të cilin nuk kemi arritur ta parandalojmë.

Për secilin rast të zbuluar apo denoncuar janë marrë menjëherë këto masa:

• pezullim apo shkarkim nga puna MENJËHERË, e të gjithë stafit e të shkollës të cilët kanë qenë të përfshirë direkt apo indirekt në këto raste (përfshirë drejtues, psikologë apo mësues kujdestar që nuk kanë qenë të përfshirë në rast, por kanë patur për detyrë të kujdesen për mirëqënien e nxënësve);

• hetim i thelluar i gjendjes së përgjithshme në shkollë përmes intervistave me nxënës, prindër dhe komunitetin shkollor;

• ofrim i shërbimit psiko-social, dhe mbështetje e përgjithshme shkollore dhe pas-shkollore, për viktimat e ngacmimit apo abuzimit.

Gjithashtu, organet e drejtësisë kanë ndjekur penalisht secilin nga rastet e denoncuara. Pra, NUK ka “kulturë mosndëshkueshmërie” në Shqipëri ndaj rasteve të abuzimit seksual, siç ishin shprehur disa OJF. Kur rastet denoncohen, personat përgjegjës ndëshkohen menjëherë.

Por, qartazi ka kulturë fshehjeje dhe mosraportimi, deri sa bëhet shumë vonë. Kjo është ajo që po synojmë ta ndryshojmë, së paku në shkollë, në hapësirat që do të duhej të ishin të sigurta për të gjithë fëmijët.

Dua të përsëris mesazhin që dhashë ditën e hënë: përgëzoj nxënësit tanë që kanë gjetur kurajon të denoncojnë bullizmin, dhunën apo abuzimin që kanë përjetuar. Kjo është e vetmja mënyrë që të rriturit dhe institucionet të kenë mundësi të dënojnë këtë dhunë dhe të sigurohen që nuk do të ndodhë më në të ardhmen.

Shpesh viktimat nuk denoncojnë dhunën që kanë përjetuar, sepse ndihen me faj apo me turp për atë që u ka ndodhur. POR, FAJI DHE TURPI I TAKOJNË ABUZUESIT!

Që shkolla të shndërrohet në hapësirë të sigurtë, ne po dyfishojmë numrin e psikologëve dhe punonjësve socialë dhe po trajnojmë ata për adresimin e ndjeshëm te çështjet e ngacmimit dhe abuzimit seksual. Si dhe po bëjmë edhe një fushatë sensibilizuese për nxënësit, që t’i njohim ata me mbrojtjen që u ofron si rregullorja e arsimit parauniversitar, ashtu edhe Kodi Penal.

Por, po e përsëris, nuk zgjidhjet kjo çështje vetëm me Kodin Penal. Duhet të ndryshojë gjithë kultura, mënyra se si shoqëria jonë trajton gratë, vajzat, grupet e brishta shoqërore. E gjithë kjo duhet të ndryshojë.

Media luan një rol kyç në këtë mes. Do të dëshiroja shumë që media të raportonte në mënyrë të drejtë rastet e abuzimit seksual. Ajo që kam parë deri tani ka qenë një tmerr i vërtetë. Përshkrim detajesh identifikuese të viktimave dhe fajësim indirekt i viktimave. Tmerr! Por, është ky raportim, që është reflektim i kulturës së përgjithshme të trajtimit të kësaj teme të ndjeshme, që na bën të kuptojmë se sa shumë punë kemi për t’u shndërruar në një shoqëri më të mirë, për gratë, për grupet e brishta dhe për fëmijët tanë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit