Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Tiranës ka shpallur sërish këtë vit një numër të lartë pranimesh, me 670 kuota vetëm për programin e integruar Drejtësi. Megjithëse bëhet fjalë për një program të vetëm arsimor, ky mbetet një ndër programet me numrin më të madh të vendeve në arsimin e lartë publik.
Ndërkohë që fakulteti mirëpret qindra studentë të rinj, tregu i punës prej vitesh është i tejngopur. Vetëm këtë vit janë diplomuar në rang vendi rreth 1200–1500 juristë, pa përfshirë universitetet private, ndërsa kërkesat reale për punësim në administratë, gjyqësor, avokati dhe sektorin privat mbeten minimale.
Kështu, Fakulteti i Drejtësisë vazhdon të rrisë numrin e studentëve, ndërsa realiteti i punësimit nuk arrin të krijojë hapësira për kaq shumë profesionistë të rinj në fushën juridike.
Në këtë situatë, ekspertët rekomandojnë që maturantët të bëjnë një studim të kujdesshëm të tregut të punës dhe të nevojave reale për profesionistë, përpara se të zgjedhin degën universitare. Kjo, pasi duket se institucionet e arsimit të lartë nuk po i përshtatin kuotat me mundësitë reale të punësimit, duke i lënë shumë të diplomuar të përballen me vështirësi serioze për të gjetur punë në profesion.