Një familje shqiptare i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të kërkuar ndihmën e qytetarëve, pasi prej më shumë tre javësh nuk ka asnjë kontakt me të afërmin e tyre, i cili ndodhej për punë në Gjermani.
Bëhet fjalë për një 29-vjeçar, i cili punonte në një restorant në qytetin e Hamburgut. Sipas familjarëve, hera e fundit që kanë komunikuar me të ka qenë më 6 korrik, ndërsa që prej asaj dite telefoni i tij është i paarritshëm dhe nuk kanë marrë asnjë informacion për vendndodhjen e tij.
Familjarët tregojnë se ai kishte prenotuar biletën për t’u kthyer në Shqipëri në fund të muajit korrik, por nuk u kthye asnjëherë.
“Përshëndetje, doja të bëja një denoncim pasi një i afërmi ynë ka 22 ditë që nuk kemi kontakte. Është 29-vjeç dhe punon në Gjermani, në një restorant, dhe kishte biletën për në Shqipëri. Herën e fundit që kemi folur ishte i shqetësuar për disa persona dhe dyshojmë se mund të jetë zhdukur. Ju lutem, nëse dikush ka informacion, të na kontaktojë.”
Familjarët thonë se janë përpjekur të marrin informacion nga autoritetet gjermane, por për shkak të rregullave mbi privatësinë nuk kanë mundur të marrin të dhëna mbi rastin. Ata shtojnë se nuk kanë të afërm në Gjermani që mund t’i ndihmojnë në kërkime dhe nuk dinë as vendin e saktë ku punonte 29-vjeçari.