Familja shqiptare dëbohet pas tetë vitesh në Francë, banorët u dalin në mbrojtje

Familja shqiptare dëbohet pas tetë vitesh në…

Familja Lazaj, me origjinë shqiptare, është dëbuar mëngjesin e kësaj të enjteje, 27 gusht 2026, nga banesa ku kishte jetuar prej tetë vitesh në Saint-André-des-Eaux, në Francë. Kërkesa e familjes për azil ishte refuzuar prej kohësh.

Operacioni, i paralajmëruar më herët, u zhvillua pa incidente. Rreth orës 7:30, në zonë mbërritën rreth 15 njësi të xhandarmërisë, mes tyre edhe efektivë të njësisë së mbikëqyrjes dhe ndërhyrjes (PSIG).

Në mbështetje të familjes ishin mbledhur rreth 40 persona. Jovani dhe Elisabeta Lazaj jetonin në këtë banesë së bashku me gjashtë fëmijët e tyre. Shtëpia ishte vënë në dispozicion nga bashkia dhe administrohej nga shoqata “Solidarité Estuaire”.

Mbështetësit e familjes shprehen të shqetësuar për situatën e krijuar pas dëbimit. Danielle Estay, anëtare e AMAP-it të fermës së Lévéra-s në La Madeleine de Guérande dhe e kolektivit “Unis contre une immigration jetable” (UCIJ), tregoi se familja mbështetej edhe nga organizatat bamirëse.

“Çdo javë u sillnim një shportë me perime”, tha ajo, duke shtuar se familja jetonte vetëm me ndihmat e “Restos du cœur” dhe “Secours populaire”.

Edhe pse Lazajt e dinin se do të duhej të largoheshin nga strehimi emergjent për azilkërkuesit (HUDA), ata shpresonin që autoritetet t’u ofronin një alternativë për strehim.

“Jemi të shqetësuar sepse është kontaktuar numri 115, por nuk kemi marrë përgjigje”, deklaroi Marie-Elisabeth Allaire, nga kolektivi UCIJ. “Nuk e dimë se ku do të flejë familja sonte.”

Ndërsa një bravandreqës po punonte për të mbyllur dhe bllokuar derën e banesës, përfaqësues të “Solidarité Estuaire” dhe mbështetës të familjes u pritën në bashkinë e Saint-André-des-Eaux. Takimi synonte gjetjen e një zgjidhjeje për strehimin e familjes.

Situatën e ka cilësuar dramatike edhe Enoch Arthur, nga kolektivi “Urgence sociale Saint-Nazaire”, veçanërisht për shkak të gjashtë fëmijëve, ndërsa fillimi i vitit të ri shkollor është vetëm pak ditë larg.

Mbështetësit e familjes thonë se rasti i Lazajve mund të mos jetë i vetmi. Sipas Enoch Arthur, tre familje të tjera në zonën e Saint-Nazaire mund të përballen me procedura të ngjashme dëbimi. Një familje raportohet se është larguar tashmë nga banesa në Savenay, të mërkurën, 26 gusht, ndërsa dy raste të tjera pritet të trajtohen në Pontchâteau këtë të premte.

Mes aktivistëve dhe organizatave që mbështesin familjet emigrante ekziston gjithashtu frika se procedura të ngjashme mund të shtrihen së shpejti edhe në Nantes dhe Saint-Nazaire, duke rikthyer situatën e vitit 2025, kur zona u përball me një valë dëbimesh.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit