Familjarët e shqiptarëve të vrarë në shpërthimin e Athinës mbërrijnë për identifikimin e trupave

Familjarët e shqiptarëve të vrarë në shpërthimin…

Ajo që duhej të ishte një udhëtim familjar për pushime u kthye në një tragjedi të rëndë për dy familje shqiptaro-amerikane. Florin Hoxha, motra e tij Florida Hoxha, Eris Cani dhe Ian Alexander Kirkpatrick, së bashku me pronarët e godinës, Edmond Hings dhe Athina Papapresku, humbën jetën pas shpërthimit të fuqishëm që shkaktoi shembjen e ndërtesës në Athinë.

Një ditë pas ngjarjes, familjarët e viktimave kanë mbërritur në Greqi, pasi janë thirrur nga autoritetet e Shërbimit Mjeko-Ligjor të Athinës për procedurat e nevojshme të identifikimit përmes materialit gjenetik.

Ndërkohë, autoritetet greke vijojnë hetimet për të zbardhur shkakun e shpërthimit dhe rrethanat që çuan në shembjen e godinës.

Fokusi i hetimeve është përqendruar te apartamenti në katin e dytë, ku, sipas informacioneve të deritanishme, dyshohet se ka ndodhur shpërthimi. Sipas burimeve të cituara nga mediat greke, ky apartament ishte i vetmi në godinë që kishte furnizim me gaz natyror, i përdorur për kuzhinën dhe një sobë.

Megjithatë, autoritetet duhet të përcaktojnë përmes hetimeve dhe ekspertizave nëse një rrjedhje e mundshme e gazit ka shkaktuar shpërthimin.

Për të tretën ditë, ekipet e specializuara të Shërbimit Helenik të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit kanë vijuar kontrollet në zonën e rrënojave, duke mbledhur çdo provë që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të tragjedisë.

Nga një udhëtim që duhej të sillte kujtime të bukura nga Athina, familjet tashmë po përballen me dhimbjen e humbjes së gjashtë njerëzve të tyre.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit