Familjarisht në telashe me ligjin, pas drejtoreshës së postës dhe djalit ndalohet edhe bashkëshorti

Familjarisht në telashe me ligjin, pas drejtoreshës…

Fetah Mataj, bashkëshorti i ish-drejtoreshës së Postës në Durrës, Elizabeta Mataj, është ndaluar nga Policia e Shtetit, sipas burimeve, nën dyshimin për veprën penale të kanosjes.

Lajmi është konfirmuar për JOQ Albania nga burime pranë Policisë së Shtetit, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes pritet të zbardhen në vijim të veprimeve hetimore.

Ndalimi i Fetah Matajt vjen vetëm një ditë pasi emri i familjes Mataj u rikthye në vëmendje pas një tjetër incidenti në Durrës. Djali i Elizabeta Matajt u procedua penalisht pasi, sipas policisë dhe raportimeve të bëra publike, së bashku me një 18-vjeçar tjetër dyshohet se goditi një punonjës policie jashtë detyre pas një konflikti në lagjen nr. 6 të Durrësit.

Në këtë mënyrë, brenda vetëm 24 orëve, familja Mataj përballet me një tjetër zhvillim të rëndë penal, këtë herë me ndalimin e kryefamiljarit.

Fetah Mataj është bashkëshorti i Elizabeta Matajt, ish-drejtoreshës së Postës së Durrësit, e cila prej 25 shtatorit ndodhet në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Gjykata e Durrësit ndryshoi masën e saj nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”, ndërsa hetimet ndaj saj vijojnë.

Elizabeta Mataj ishte arrestuar në kuadër të hetimeve për dyshimet mbi përvetësimin e rreth 700 mijë eurove, fonde të destinuara për pagesat e pensioneve dhe ndihmave sociale. Për këtë çështje janë hetuar edhe persona të tjerë.

Vetë Fetah Mataj ishte bërë më herët pjesë e vëmendjes mediatike edhe për shkak të emërimit të tij në një pozicion përgjegjës në sektorin e mbetjeve urbane pranë ndërmarrjes së pastrim-gjelbërimit në Durrës, pak kohë pas arrestimit të bashkëshortes.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit