Familjes siriane në Skoci i ofrohen 3 mijë paund për të jetuar në Shqipëri

Familjes siriane në Skoci i ofrohen 3…

Një familje siriane që jeton prej vitesh në Glasgow të Skocisë është përballur me një ofertë të pazakontë nga autoritetet britanike. Ministria e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar i ka propozuar familjes 3 mijë paund ndihmë financiare për të nisur një jetë të re në Shqipëri, megjithëse anëtarët e saj nuk kanë asnjë lidhje familjare apo shoqërore me vendin tonë.

 

Oferta i është dërguar Fadi Alsakkës, 39 vjeç, bashkëshortes së tij Lojain dhe dy fëmijëve të tyre, përmes një letre zyrtare. Sipas gazetës skoceze “The Sunday National”, propozimi ka shkaktuar habi dhe shqetësim te familja, e cila e ka cilësuar rastin si shqetësues për shkak të pasojave që mund të sjellin gabimet administrative në vendime kaq të rëndësishme.

 

Familja ka ngritur dyshime se gabimi mund të jetë shkaktuar nga përdorimi i inteligjencës artificiale, por gazeta sqaron se kjo teknologji nuk është përdorur në rastin konkret. Alsakka ka deklaruar gjithashtu se ky nuk është gabimi i parë i autoriteteve britanike ndaj familjes: kartat e identifikimit u është dashur t’i dërgohen gjashtë herë, pasi në pesë përpjekjet e para ishte vendosur gabimisht fotografia e djalit të tyre. Rasti rikthen vëmendjen te mënyra se si trajtohen procedurat administrative dhe kërkesat për azil në Britani.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit