Faqja “beautyswissbyib” zhvat qytetarët, merr lekët nuk dërgon produktin

Faqja “beautyswissbyib” zhvat qytetarët, merr lekët nuk…

Një qytetare i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një rast problematik me një faqe online “beautyswissbyib” në Instagram që shiste produkte të deklaruara si të certifikuara nga Zvicra.

Sipas qytetares, ajo ka kryer një porosi për produkte që do t’i dërgoheshin në Gjermani, ndërsa pagesa është kryer me bonifico bankare. Fillimisht, komunikimi me administratoren e faqes ka qenë korrekt dhe asaj i është premtuar se porosia do të mbërrinte brenda një jave.

Megjithatë, pakoja nuk ka mbërritur asnjëherë në adresën e saj. Qytetarja thotë se për një javë rresht ka kontrolluar çdo ditë në qendrën e pakove, por pa rezultat. Pas insistimit për informacion, ajo ka marrë një kod gjurmimi, i cili sipas saj tregonte se pakoja ishte kthyer mbrapsht, edhe pse nuk kishte mbërritur kurrë në Gjermani.

Qytetarja i ka kërkuar administratores ose dorëzimin e produktit, ose kthimin e parave. Pas këtij momenti, komunikimi është bërë i vështirë dhe më pas është ndërprerë plotësisht: nuk ka pasur më përgjigje në telefon, SMS, WhatsApp apo Instagram.

E detyruar për të marrë një reagim, qytetarja thotë se ka komentuar në disa postime publike të faqes. Vetëm pas kësaj, administratorja e ka kontaktuar në WhatsApp, duke i kërkuar të fshinte komentet dhe duke i premtuar se do t’i kthente shumën e paguar.

Sipas denoncimit, qytetarja ka dërguar të gjitha të dhënat bankare (IBAN dhe informacionet përkatëse), por paratë nuk janë kthyer, pavarësisht se i është thënë se bonifico “është nisur”. Kanë kaluar disa ditë dhe shuma nuk ka mbërritur në llogarinë e saj.

Në përpjekjen e fundit për të kërkuar sqarim, qytetarja thotë se është bllokuar në Instagram, si nga profili personal, ashtu edhe nga faqja e biznesit, e cila mban emrin “beautyswissbyib”.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit