Fasonët në krizë, ngrejnë 'alarmin SOS': Të mundësohen punonjës nga jashtë! Shqiptarët preferojnë më mirë të jenë të papunë sesa të paguhen pak

Fasonët në krizë, ngrejnë ‘alarmin SOS’: Të…

Fasonët nuk po gjejnë punonjës. Ky sektor është ndër kategoritë që ka ngritur ‘flamurin e kuq’ dhe është në krizë sa i përket krahut të punës. Shqipëria është një vend i avantazhuar për zhvillimin e këtij biznesi më së shumti për shkak të krahut të lirë të punës por edhe ky avantazh nuk ekziston më. Për këtë arsye përfaqësues të bizneseve të ndryshme fasone kërkojnë ndihmë nga autoritet, ndihmë për të lehtësuar të gjitha procedurat për marrjen e punëtorëve të huaj, më së shumti nga vendet e tjera.

Në një intervistë për Report TV, Elton Koçi, përfaqësues i një biznesi fason në kryeqytet, tregon të gjitha arsyet që sipas tij kanë sjellë këtë krizë në sektor. I pyetur nëse niveli i pagave krijon edhe këtë hendek punonjës Koçi thotë se ka arsye të tjera sepse pagat janë të përshtatshme me tregun. Sipas tij ka një mungesë shumë të madhe interesi.

Kemi kaluar një situatë të vështirë për shkak të pandemisë dhe një nga sektorët më të prekur është pandemia, si paraqitet gjendja aktualisht?

Aktualisht kontratat dhe puna kanë rifilluar, ne dhe gjatë pandemisë jemi përpjekur të punomë me produkte që kishin të bënin me shëndetësinë, si maskat 1 përdorimshme, ndërsa tani ka rifilluar puna në normalitet me veshjet e punës ku ne jemi të specializuar dhe veshjet sportive.

Në vitin e kaluar stopuan kontratat, këtë vit janë riaktivizuar ato kontrata apo janë kontrata të reja?

Janë riaktivizuar po të njëjtat kontrata që ne kishim, po e njëjta pjesë e Evropës që na sillte punë. Gradualisht kemi arritur në një nivel optimal, në të cilin nuk na mungon punë.

Me cilat shtete keni pasur kontrata dhe vijoni ti keni?

Kemi punuar disa kohë me Greqinë, me Italinë, e cila është pjesa më e madhe me të cilët ne punojmë, por pak edhe me klientë të brendshëm, por edhe me klientë që kanë kërkuar produkt specifik. Por peshën më të madhe e mban Italia.

Përpos pandemisë a arritët ta mbani tregun që kishit?

Të gjithë ne sektori që prodhonim rroba përpara pandemisë për klientë italian, apo grekë, kemi rifilluar po të njëjtat kontrata me të njëjtët klientë, pse jo kanë ardhur edhe klientë të rinj. Kjo tregon një tendencë rritje të punës.

A i ka ndryshuar pandemia kontratat për modelet e veshjeve?

Në aspektet që kanë të bëjnë me rregullat e higjienës kontratat janë ndryshuar, por veshjet klasike të punës nuk kanë pësuar ndryshim, ka vetëm lëvizje çmimesh për shkak të rënies së euros dhe inflacionit, por jo lëvizje produkti.

Mendoni se këtë vit do të arrini të kapni vlerat e fitimit të vitit 2019?

Po tentohet që të kapim vlerat e vitit 2019, pse jo edhe ti kalojmë, padyshim që ka qenë një vit krize dhe po përpiqemi të arrijmë në nivelet optimale.

Po përballeni me mungesë punonjësish, pse po ndodh kjo situatë?

Ka një tendencë tek të gjithë sektorët, por edhe ne po e ndjejmë, ku gjithmonë e më shumë mungojnë profesionistë, ose figura të cilat duan të futën në këtë sektor, edhe pse më përpara ka pasur më shumë punonjës ose njerëz që afroheshin për tu futur në këtë sektor dhe për të mësuar për të kryer këto lloj operacionesh dhe këtë lloj pune, tani më sikur janë gjithmonë dhe më pak të rejat ose të rinjtë që vijnë dhe fillojnë punë në fasoneri. Preferojnë më shumë sektorë pak më komod dhe gjithmonë dhe më shumë nuk duan të vijnë të punojnë. Pjesa më e madhe preferojnë të rrinë në shtëpi dhe të mos vijnë të punojnë, diku jetojnë me remitanca nga njerëz që kanë jashtë.

Pse është krijuar tendenca për të mos punuar në fasoneri?

Mendoj se këto janë efekte në Shqipëri jo vetëm në fasoneri, edhe në sektorë të zdruktarive dhe metalpunuesve kanë të njëjtat probleme, biles edhe lavazhet kanë mungesë punonjësish, ka më pak djem që duan të shkojnë të punojnë në lavazhe. Mesa duket ne si popull preferojmë që më mirë të mos punojmë për pak lekë deri sa të gjejmë një mundësi për të punuar direkt në thelë të madhe dhe nuk preferojnë të vijnë të mësojnë dhe të profesionalizohen në një sektor të caktuar.

A e ka ndryshuar pandemia standardin e pagave, janë rritur, janë ulur, çfarë ka ndodhur?

Ne jemi relativisht të rinj në këtë sektor, por po të marrim historikun, deri para disa vitesh këto paga as që mund të mendoheshin, le të themi që para disa vitesh paga minimale ka qenë 19 mijë e 200 lekë, sot është 30 mijë lekë. Por punëtorët që janë të profesionalizuar janë shumë më lartë se sa aq. Nuk është se kemi një standard të lartë të pagave e i tillë është vendi jonë, kjo është ekonomia dhe kjo është arsyeja pse klientët vijnë dhe kërkojnë punë manuale, punë që kërkojnë krah pune, vijnë në Shqipëri sepse ka kosto të ulët të punës, por edhe këto kosto dita ditës por rriten, edhe pagat dita ditës po rriten. Kjo reflekton që ne dita ditës na lypet që të rrisim edhe çmimet, që edhe pse kjo ndodh, është një proces gradual i rritjes, i cili ndodh, njerëzit dhe forcat e reja të punës mungojnë.

Çfarë punëtorësh ju mungojnë më së shumti?

Mungojnë punëtorë të të gjitha proceseve që ne kemi këtu brenda. Mund t’ju them që edhe një punonjëse sanitare është tejet e vështirë për ta gjetur.

Mund të jetë edhe vendndodhja si faktor i mos ardhjes së njerëzve në punë?

Mendoj se nuk është vendndodhja, është më shumë fakti që njerëzit preferojnë të ikin jashtë shtetit, më mirë të rrinë dhe të marrin një remitancë nga dikush, apo të rrinë në shtëpi, se sa të vijnë dhe krijojnë një autonomi të vetën, të marrin një rrogë, e kështu me radhë.

Ju kanë ikur punëtorë gjatë 2 viteve të fundit? Apo keni larguar?

Nuk kemi pasur probleme gjatë pandemisë, pothuajse kemi të njëjtit punëtorë që kemi pasur në vite, normalisht ka pasur edhe afrim ka pasur. Tani që na lypet të shtojmë numrin e punëtorëve, mungon fuqia punëtorë.

Çfarë mund të bëjë shteti në një situatë të tillë për t’iu ndihmuar?

Le të themi që kohët e fundit për të na lejuar mundësinë për të marrë punëtorë nga vendet e tjera dhe për ti afruar. Besoj se shqiptari mesatar sot nuk preferon të punojë në industri, qoftë kjo në fasoneri , apo në çdo lloj sektori të industrisë. Qeveria ka si plan të fillojë procedurat për lehtësimin e procedurave për marrjen e punonjësve nga jashtë. Gjithashtu nga ana e qeverisë kemi pasur digjitalizimin e platformës e-albania dhe me fiskalizimin, gjithmonë e më shumë kemi pasur lehtësira në aspektin administrativ. Kjo përkthehet për ne në kohë ,sepse më parë kishim shumë humbje kohe me kontaktin me autoritetin. Le të shpresojmë që edhe praktika e marrjes së punëtorëve nga jashtë të lehtësohet.

A keni pasur kontakte me shtete të huaja apo punëtorë që vijnë nga jashtë?

Deri para pandemisë ne kemi qenë pak më avangardë se sektori i shtetit dhe kemi tentuar që të krijonim kontakte që kishin punonjës dhe shumë të specializuar të sektorit fason. Më pas ndodhi pandemia dhe u mbyll gjithë bota, tani shpresojmë të rifillojmë kontaktin dhe shpresojmë të marrim punëtorë ose fuqi punëtore nga jashtë.

Xhiroja ditore vjetore, në çfarë niveli jeni këtë vit krahasuar me 2019?

Pothuajse po arrijmë nivelet e 2019 dhe shpresojmë që ti kalojmë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit