Një ndjekje policore e ngjashme me ato të filmave aksion është duke u zhvilluar mes Vlorës dhe Fierit, pasi një automjet tip Golf 7 i bardhë ka refuzuar të ndalojë në një pikë kontrolli brenda qytetit të Vlorës.
Sipas burimeve policore, patrulla i ka bërë shenjë drejtuesit të mjetit që të ndalojë, por ai ka zgjedhur të largohet me shpejtësi, duke detyruar forcat e rendit të braktisin postbllokun dhe të nisin ndjekjen. Automjeti ka lëvizur me shpejtësi brenda qytetit, duke kaluar nëpër zona të banuara dhe duke iu shmangur patrullave që përpiqeshin ta ndalonin.
Pasi ka dalë nga Vlora, shoferi i ka shpëtuar edhe një tjetër postblloku dhe ka vijuar lëvizjen drejt Bypass-it të Vlorës, për të hyrë më pas në autostradë. Me ndjekjen që tashmë është zhvendosur në Fier, në operacion janë përfshirë edhe njësi të tjera policore, përfshirë njësinë operacionale dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), të cilat po përpiqen të bllokojnë mjetin.
Ende nuk dihen identiteti i drejtuesit dhe motivet që e kanë shtyrë atë të mos ndalojë në postbllok. Operacioni është në vazhdim dhe priten zhvillime të mëtejshme në orët në vijim.