Një grabitje e guximshme e një kamioni frigoriferik që transportonte mish pule në një autostradë të Kajros përfundoi me një përplasje të përgjakshme me armë zjarri.
Grabitja ndodhi më 25 gusht në autostradën Kajro-Ismailia. Sipas autoriteteve, hajdutët iu afruan kamionit me një automjet tip “pickup”, hapën me forcë dyert e tij dhe morën kuti me rreth 105 kilogramë mish pule, ndërsa të dyja automjetet ishin në lëvizje me shpejtësi të lartë.
Gjithçka ndodhi në një skenë që ngjante me ato të filmave aksion të serisë “Fast & Furious”.
“Kur forcat e rendit tentuan t’i arrestonin sulmuesit, të dyshuarit dyshohet se hapën zjarr, duke shkaktuar një shkëmbim të shtënash, si pasojë e të cilit tre prej tyre u vranë dhe tre të tjerë u arrestuan”, deklaroi ministria në një njoftim për Arab Times.
Policia sekuestroi automjetin me të cilin lëviznin grabitësit, dy pushkë automatike, një armë gjahu, si dhe mishin e pulës së vjedhur.
Tre të dyshuarit e arrestuar përballen me akuza për grabitje të armatosur, posedim të paligjshëm të armëve dhe hapje zjarri ndaj punonjësve të policisë.
Në një detaj të pazakontë, shoferi i kamionit nuk kishte vënë re se po kryhej grabitja. Edhe kompania pronare e ngarkesës mësoi për incidentin vetëm pasi videoja e grabitjes u publikua dhe u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale.