Komisioni Parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, i drejtuar nga deputeti Fatmir Xhafaj, ka pranuar të shqyrtojë peticionin e banorëve të kompleksit të pallateve të ndërtuara nga kompania “Arlis Ndërtim” te Farmacia 10, pas zjarrit që shkrumboi njërën nga kullat katër muaj më parë.
Banorët e ftuar për një dëgjesë në komision kërkojnë ndërhyrje urgjente jo vetëm për godinën e dëmtuar, por edhe për 6 kullat e tjera të kompleksit. Sipas tyre, në të gjitha ndërtesat është përdorur i njëjti material rrezikshëm fasade si në kullën nr. 5, e cila u përfshi tërësisht nga flakët duke lënë dhjetëra familje në qiell të hapur.
Pasiguria e banorëve dhe premtimet e ndërtuesit
Ndërsa punimet për rindërtimin e fasadës së dëmtuar kanë nisur në korrik me vendosjen e skelave, banorët ende nuk kanë një datë se kur do të rikthehen në banesat e tyre dhe po jetojnë me qira.
“Nuk kemi ende një datë për dëgjesën. Por do t’i shprehim shqetësimet tona,” u shpreh një nga banorët, duke nëvizuar se institucionet e tjera shtetërore nuk kanë reaguar ndaj kërkesës së tyre për ndërrimin e plotë të fasadave në të gjithë kompleksin.
Nga ana tjetër, kompania “Arlis Ndërtim”, me pronar biznesmenin Armand Lilo, ka deklaruar publikisht se do të mbulojë me shpenzimet e veta rindërtimin e plotë të fasadës së dëmtuar dhe rikthimin e apartamenteve në gjendjen fillestare “çelësa në dorë”. Sidoqoftë, shqetësimi kryesor i banorëve mbetet siguria e fasadave në godinat e tjera të paprekura nga zjarri.
Konflikt interesi dhe akuza politike?
Përfshirja e Komisionit të drejtuar nga Fatmir Xhafaj ka ngritur dyshime mbi objektivitetin e këtij procesi. Armand Lilo është i lidhur familjarisht me Xhafajn, pasi është i martuar me kushërirën e këtij të fundit.
Kjo lidhje ka qenë edhe në qendër të denoncimeve të vazhdueshme të Partisë Demokratike, e cila ka akuzuar publikisht lidhjet mes kryebashkiakut Erion Veliaj, Fatmir Xhafajt dhe Armand Lilos për përfitimin e lejeve të ndërtimit në kryeqytet.
Në këto kushte, mbetet pikëpyetje nëse dëgjesa parlamentare do të funksionojë si një seancë e fortë llogaridhënieje për sigurinë teknike dhe përgjegjësitë e ndërtuesit, apo do të shërbejë si një hapësirë për rehabilitimin publik të Armand Lilos, i cili deri më tani nuk është përballur me pasoja të drejtpërdrejta për katastrofën e ndodhur.