Favorizim apo "dashuri" me tenderat? Bashkia Vlorë i jep 3.5 mln € kompanisë më të shtrenjtë

Favorizim apo “dashuri” me tenderat? Bashkia Vlorë…

Bashkia e Vlorës ka zhvilluar një procedurë tenderuese me pikëpyetje të mëdha për rikualifikimin urban të Bllokut të Orizit, me një fond limit prej 3.5 miliardë lekësh të vjetra ose rreth 3.5 milionë euro. Institucioni i drejtuar nga Brunilda Mersini ka vendosur që të dyja lotet e tenderit t’ia besojë të njëjtës kompani private, duke skualifikuar njëra pas tjetrës të gjitha ofertat më të ulëta ekonomike.

Projekti ka për objekt ndërhyrjen në rrjetin elektrik, ndriçimin publik dhe fasadat në bllokun e banesave midis rrugëve “Fatos Arapi”, “Hasan Kushta”, “Ismail Qemali” dhe “Misto Mele”.

Në lotin e parë, me fond limit prej 208 milionë lekësh të reja, morën pjesë 7 kompani. Bashkia e Vlorës skualifikoi 6 prej tyre dhe shpalli fituese kompaninë “Zdrava”, e cila kishte ofertën më të lartë në garë prej 200 milionë lekësh të reja, sa 96.3% e fondit limit. Jashtë garës mbetën oferta dukshëm më të ulëta, si ajo e bashkimit të operatorëve “ISEC – ERGI – ALGES KONSTRUKSION” që kërkoi 80 milionë lekë të reja më pak, apo e subjektit “Cara” me 73 milionë lekë më pak se fituesi.

Të njëjtën skemë Bashkia e Vlorës e ndoqi edhe në lotin e dytë, i cili kishte një fond limit prej 142 milionë lekësh të reja. Nga 6 kompani pjesëmarrëse, 5 u skualifikuan, duke i hapur rrugën përsëri kompanisë “Zdrava”, e cila fitoi me ofertën 113 milionë lekë të reja. Edhe këtu u eliminuan oferta më të favorshme, si ajo e operatorëve “NDREGJONI – UDHA”, që kishte ofruar 100 milionë lekë të reja ose rreth 13.3 milionë lekë më pak se fituesi.

Skualifikimi i të gjitha ofertave më të ulëta dhe dhënia e të dyja kontratave te i njëjti operator ngre pikëpyetje mbi procedurën e ndjekur, pasi mbetet e paqartë se për çfarë shërbeu ndarja e tenderit në dy lote kur në fund të dyja i merr e njëjta kompani me çmimin më të lartë.

Kompania fituese “Zdrava” është në pronësi të Faik, Dashnor e Kastriot Sinanaj, si dhe Ylli e Arben Zdrava, me administrator Dashnor Sinanajn. Kjo shoqëri rezulton ndër përfitueset më të mëdha të fondeve publike, me dhjetëra tenderë të fituar me vlerë totale mbi 15 milionë euro.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit