"Fëmijët në kopshtin 'Parafabrikat' pa kondicioner në mes të vapës, vijnë në shtëpi të raskapitur"

“Fëmijët në kopshtin ‘Parafabrikat’ pa kondicioner në…

Një nënë i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar kushtet në kopshtin “Parafabrikat” në Durrës, ku, sipas saj, fëmijët janë detyruar të qëndrojnë në temperatura shumë të larta, pasi kondicionerët në ambientet e kopshtit nuk kanë funksionuar.

Në mesazhin e dërguar në redaksi, ajo shprehet se gjatë ditëve të fundit, kur temperaturat kanë qenë përvëluese, fëmijët kanë kaluar orë të tëra në ambiente pa ajër të kondicionuar, çka, sipas saj, ka ndikuar drejtpërdrejt në gjendjen e tyre fizike.

“Gjatë ditëve të fundit me temperatura shumë të larta, kondicionerët në ambientet e kopshtit nuk kanë funksionuar. Si pasojë, fëmijët janë detyruar të qëndrojnë për orë të tëra në këtë vapë të madhe, duke u ndjerë si në rënie të fikti nga vapa dhe duke u kthyer pasdite në shtëpi në gjendje të konsiderueshme lodhjeje,” shkruan nëna.

Ajo thekson se bëhet fjalë për fëmijë të vegjël, të cilët kanë nevojë për kushte të përshtatshme për të kaluar orët e qëndrimit në kopsht, sidomos gjatë kësaj periudhe me temperatura ekstreme.

Nëna i bën thirrje Kryetares së Bashkisë së Durrësit dhe strukturave përgjegjëse që të ndërhyjnë sa më shpejt për rikthimin në funksion të sistemit të kondicionimit, në mënyrë që fëmijët të mos përballen më me këto kushte.

Njëkohësisht, ajo sqaron se denoncimi nuk lidhet me stafin e institucionit, për të cilin shprehet me fjalë vlerësuese.

“Dëshiroj gjithashtu të theksoj se jam shumë e kënaqur me punën, përkushtimin dhe kujdesin që tregon drejtoresha e kopshtit ndaj fëmijëve. Shqetësimi im lidhet vetëm me kushtet infrastrukturore që kërkojnë zgjidhje,” shprehet ajo.

JOQ Albania i bën thirrje Bashkisë së Durrësit të verifikojë këtë denoncim dhe të marrë masat e nevojshme nëse problematika rezulton e vërtetë, pasi sigurimi i kushteve të përshtatshme për fëmijët në institucionet parashkollore është një detyrim dhe jo një luks, veçanërisht në ditët me temperatura të larta. Redaksia mbetet e hapur për të publikuar edhe reagimin e institucioneve përgjegjëse.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit