Blegtorët e jugut derdhin qumshtin në rrugë: Do protestojmë në Tiranë

Blegtorët e jugut derdhin qumshtin në rrugë:…

Zëri i blegtorëve të jugut që javën e shkuar u ngritën në protestë për mungesën e subvencioneve dhe gjendjen e vështirë ku ndodhen, duket se ka shkuar në vesh të shurdhër pasi asnjë masë nuk është marrë nga ministria e Bujqësisë ose qeveria.

Fermerët janë ngritur përsëri në protestë këtë të premte, duke bllokuar totalisht rrugën e automjeteve në Kardhiq. Ndryshe nga hera e parë ku vetëm u mbajtën fjalime dhe u kërkua që zëri i tyre të dëgjohej, këtë herë blegtorët derdhën në rrugë dhe produktet e prodhuara prej tyre.

Ata kundërshtojnë uljen e çmimit të qumështit, dhe shkak për këtë sipas tyre është bërë monopolizimi i tregut nga fabrikat përpunuese. Protestuesit kanë paralajmëruar se nëse nuk merren masat e nevojshme do të protestojnë te kryeministria në Tiranë.

“Këta duan të na zhdukin, është e qëllimshme kjo situatë me bujqësinë. Në rast se nuk merren hapat, ne do të shkojmë në Tiranë dhe kryeministri ashtu siç e bën bota. Misri që kemi mbjellë është me 20 lekë, përse të vijë misri i serbit këtu dhe misri jonë të mbetet pa shitur?”, tha një blegtor.

Një blegtor tjetër tha se janë në prag falimentimi dhe të rinjtë, që janë baza kryesore e kësaj pune, do të ikin në emigrim.

“Nëse nuk zbatohen pikat kryesore që ne kërkojmë, do të kalojmë në faliment dhe të gjithë të rinjtë, që janë baza e kësaj pune, do të marrin rrugën e emigracionit dhe do të kapitullojë gjithçka. Duhet të merren në konsideratë pikat kryesore që të mos falimentojmë”, u shpreh ai.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit