Fermerët protestojnë para Bashkisë Kukës për mungesën e ujit vaditës

Fermerët protestojnë para Bashkisë Kukës për mungesën…

Banorë të Njësisë Administrative Shtiqën dhe të fshatit Nangë, në Njësinë Administrative Bicaj, kanë protestuar sot para Bashkisë Kukës, duke kërkuar zgjidhje për mungesën e ujit vaditës. Fermerët pretendojnë se prej ditësh nuk kanë ujë për të vaditur tokat bujqësore, ndërsa sipas tyre burimet ujore po devijohen për nevojat e hidrocentraleve. “Ka 3 vite që Shtiqëni thahet dhe shkrumbohet për mungesën e ujit vaditës”, u shpreh një prej banorëve.

Protestuesit thonë se ekziston një marrëveshje që garanton furnizimin me ujë për vaditje nga 15 maji deri më 15 shtator, por sipas tyre ajo nuk po zbatohet. Kanali vaditës i Shtiqënit mbulon rreth 820 hektarë tokë bujqësore, ndërsa aktualisht rreth 120 hektarë janë të mbjella me misër, jonxhë dhe grurë. “Kontrata që është, nuk zbatohet. Ujë ka kanali sa të duash. Kemi ardhur të tregojmë se ne çfarë kemi mbjellë, ka mbetur bosh”, deklaroi një tjetër banor.

Fermerët paralajmërojnë se mungesa e ujit po rrezikon seriozisht prodhimin bujqësor dhe të ardhurat e familjeve të tyre. Ata kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për rikthimin e ujit në kanalet vaditëse dhe zgjidhjen e situatës, ndërsa paralajmërojnë përshkallëzim të protestave nëse kërkesat e tyre nuk marrin përgjigje.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit