Hetimet për dhunimin në grup të një vajzës në Fier kanë nxjerrë në dritë detaje të reja që kanë zgjeruar ndjeshëm fokusin e çështjes. Gjykata ka ndryshuar masat e sigurisë për tre të dyshuarat, ndaj një 15-vjeçareje është caktuar masa e mjekimit të detyruar, pasi dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, 19-vjeçarja është lënë në masën “arrest me burg”, ndërsa vajza tjetër do të qëndrojë në “arrest shtëpie”. Paralelisht, prokuroria po i heton ato edhe për vepra të tjera penale.
Sipas të dhënave të siguruara nga hetimet, tre vajzat dyshohet se kishin ngritur një skemë shantazhi, ku kontaktonin burra përmes rrjeteve sociale, i joshnin me takime në hotele dhe më pas një person tjetër i fotografonte në mënyrë që më vonë të përdoreshin për t’i shantazhuar. Hetuesit po verifikojnë nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë dhe nëse ka pasur viktima të tjera që nuk kanë denoncuar.
Një nga rastet e hetuara lidhet me një efektiv policie, baba i dy fëmijëve, i cili dyshohet se u kontaktua nga njëra prej vajzave. Sipas burimeve, ajo i kishte propozuar një takim në hotel, por polici ishte takuar me të vetëm në një lokal. Megjithatë, bisedat e zhvilluara mes tyre dyshohet se u përdorën për ta shantazhuar, me kërkesën që çështja e dhunimit të vajzës të mbyllej, në të kundërt komunikimet do të publikoheshin në internet. Për këtë rast, efektivi është përjashtuar nga Policia e Shtetit, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) po vijon verifikimet për të sqaruar rolin dhe përgjegjësitë e tij.