“Fike pak kamerën”/ Deputetët kërkojnë rritje rroge, diskutimet zhvillohen në fshehtësi

“Fike pak kamerën”/ Deputetët kërkojnë rritje rroge,…

Pasi Edi Rama i rriti rrogën Bajram Begajt, oreksi është shtuar edhe në radhët e deputetëve. Një projektligj i mbërritur në zyrat e Kuvendit nuk ka gjetur dakordësinë e Komisionit të Ekonomisë për të shkuar më tej. Në draftin e propozuar nga qeveria, parashikohet që rroga e Presidentit të Republikës nga 257 mijë lekë në muaj që është momentalisht, të rritet në 425 mijë lekë në muaj.

Deputetët aktualisht paguhen sa 61% e pagës së Presidentit. Nëse qeveria do të kishte ruajtur të njëjtin koeficient për deputetët, për shkak të rritjes së rrogës së Presidentit edhe pagat e tyre do të rriteshin në të njëjtin raport. Por në projektligj Ministra e Financave ka propozuar që koeficienti për pagën e deputetëve të ulet në 36.9 për qind e rrogës së Presidentit.

Si rezultat, edhe pse rroga e Presidentit rritet me 65 për qind, paga e deputetit nuk ndryshon për shkak të uljes së koefiçentit. Nisur nga ky përjashtim, deputetët pritet të paraqesin disa amendamente ku do të kërkohet respektimi i hierarkisë aktuale të pagave. Ata kërkojnë që me rritjen e pagës së Presidentit, rritet automatikisht edhe paga e deputetit.

Këto diskutime janë zhvilluar pa praninë e kamerave dhe në fshehtësi të plotë. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Eduard Shalsi, është kujdesur që “pakti” mes PS dhe opozitës të mos regjistrohej dhe tetë minuta pasi nisi mbledhja e komisionit i kërkoi stafit që kamerat të fiken e për rrjedhojë edhe sistemi i regjistrimit audio të komisionit të mos regjistronte.

Gjatë diskutimeve në fshehtësi, deputetët kanë shfaqur shenja xhelozie për rritjen e pagave për mësuesit, infermierët e të tjerë. Ata kanë thënë se me rritjen e pagave mësuesit dhe infermierët, do të paguhen më shumë se deputeti. Ky projektligj është shtyrë dhe bllokuar nga deputetët, duke kërkuar që të rishqyrtohet pas zgjedhjeve vendore të 14 majit. E sigurtë është që deputetëve nuk u mjaftojnë pagat dhe privilegjet që kanë, por kërkojnë edhe më shumë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit