Ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, është paraqitur këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme, e shoqëruar nga forca të shumta policie. Hyseni ndodhet nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, të caktuar në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t.
Gjatë hyrjes në ambientet e GJKKO-së, ish-drejtuesja e SHISH u pyet nga gazetarët lidhur me dyshimet për nxjerrjen dhe shpërndarjen e informacioneve të klasifikuara.
E pyetur nëse kishte përcjellë materiale të tilla, Hyseni nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë. Në vend të saj, ajo iu drejtua gazetarëve me një deklaratë të shkurtër, duke përmendur takimet e tyre në hotele të ndryshme.
“Takimet me agjentët serbë në dhomat e hotelit Rogner”, mësohet të jetë shprehur Hyseni teksa po kalonte drejt godinës së Gjykatës.
Nuk është e qartë se cilave takime iu referua konkretisht ish-drejtoresha e SHISH dhe nëse deklarata e saj lidhet drejtpërdrejt me objektin e hetimit.
Sipas hetuesve, në kuadër të dosjes janë administruar komunikime mes Hysenit dhe biznesmenit Ergys Agasi. Një nga pistat e hetimit lidhet me dyshimet se informacione të klasifikuara mund t’i jenë përcjellë Agasit.
Prokuroria po vijon hetimet për të përcaktuar natyrën e materialeve që dyshohet se janë shpërndarë, si dhe rrethanat dhe mënyrën se si ato mund të jenë vënë në dispozicion të personave të tjerë.