Filipinet në alarm: Po rriten ndjeshëm rastet e trafikimit njerëzor drejt Shqipërisë!

Filipinet në alarm: Po rriten ndjeshëm rastet…

Autoritetet në Filipine kanë ngritur alarmin për një skemë të re trafikimi njerëzor që ka si destinacion përfundimtar Shqipërinë.

Sipas Byrosë së Imigracionit, gjithnjë e më shumë shtetas filipinas po bien pre e rekrutimeve të dyshimta online, duke përfunduar në rrugë drejt punësimit të paligjshëm në Evropën Juglindore.

Gjatë fundjavës, në Aeroportin Ndërkombëtar Ninoy Aquino (NAIA), janë ndaluar tre persona, dy gra dhe një burrë, të moshave 23, 25 dhe 39 vjeç, të cilët pretendonin se po udhëtonin për turizëm në Malajzi. Por hetimet zbuluan se destinacioni final i tyre ishte Shqipëria, ku ata synonin të punësonin ilegalisht.

Të rekrutuar përmes Facebook Messenger, viktimat kishin rënë dakord të punonin në fabrika, restorante dhe si pastrues, me premtime për paga që varionin nga 500 deri në 700 euro në muaj. Për këtë “mundësi”, ata kishin paguar shuma që varionin nga 34 mijë deri në 74 mijë pesos secili.

Njëri prej udhëtarëve kishte me vete vetëm një fotokopje të një vize të dyshimtë për Shqipëri, ndërsa udhëzimet që kishte marrë përfshinin lëvizjen drejt Europës përmes Malajzisë, duke organizuar vetë pjesën tjetër të udhëtimit.

Pasi morën pagesat, rekrutuesit e supozuar u zhdukën pa lënë gjurmë, duke lënë pas viktimat të mashtruara dhe pa asnjë mbështetje.

Autoritetet filipinase po i bëjnë thirrje qytetarëve të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm ndaj ofertave të punës nga interneti, sidomos ato që premtojnë vende pune në vende të largëta si Shqipëria.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit