Fiskalizimi, mirë apo keq?

Fiskalizimi, mirë apo keq?

Unë nuk e kuptoj dot se si mund të vertëtosh mungesën e dritave?! Unë kuptoj se nisur nga problemet që ka në Shqipëri me furnizimin me energji, me furnizimin me internet e problematika të tjera të këtij lloji, bizneset duhet të punësojnë një person për të kryer korrenspondencat me organet tatimore.

Featured image of article: Fiskalizimi, mirë apo keq?

22 Qershor, 2021 9:45

Nga janari 2021, ekonomia jonë hyri në një proces të ri, në implementimin e përdorimit të faturës fiskale.

Deri më sot, situata nuk ka qenë aq shumë problematike sepse subjektet që kanë hyrë në këtë rrjedhë janë të paktë, por çfarë do të ndodh në 1 korrik? Po në 1 shtator?
Më duhet të flas nga eksperienca ime e deritanishme duke filluar nga aplikacionet që duhen për të realizuar këtë proces dhe deri tek përfundimi i deklarimit të një shitjeje.
Së pari me keqardhje më duhet të them, se bizneset shqiptare pas një viti tejet të vështirë si ai që kaluam, do të kenë një kosto të shtuar për këtë vit por dhe një kosto të shtuar çdo vit.

Në mënyrë që t’ë mund të orientoja sa më drejtë klientët e mi fillova të hulumtoja tregun, se si dhe se me çfarë kosto mund ta realizojnë klientët e mi këtë proces.

E nisa procesin me përditësimin e programit tim të kontabilitetit i cili më kushtoi as më shumë e as më pak por plot 75.000 lekë të reja ku kisha një skonto 50%, pra kostua reale e këtij veprimi fillestar ishte 150.000 lekë të reja, pas kësaj kostoje, çdo vit më duhet të paguaj edhe 14.000 lekë të reja.

Kostua e parë më la pa frymë. Atëherë mendova se për klientët e mi të cilët mezi e kishin kapërcyer vitin 2020 pa u thyer në mes dhe që po mundoheshin me mish e me shpirt të qendronin në këmbë, unë duhet t’ua bëja më të lehtë sepse ata nuk do të mund të përballonin kosto të tilla.

Mora në shqyrtim rreth 14 oferta nga operatorë të ndryshëm të licensuar, fillova t’i vlerësoja me pikë për çdo opsion që ofronin dhe në bazë të pikëve që morrën, zgjodha njërin prej opsioneve të cilin e kisha vlerësuar me më shumë pikë, dhe ua ofrova.
14 ofertat që vlerësova varionin, me shtim kostoje për biznesin, nga 60 euro në vit deri në 500 euro në vit. Por edhe brenda një operatori situata ndryshonte, dikush e kishte ofertën me numër faturash, dikush tjetër me numër postesh pune e dikush tjetër me opsionet që të lejonte të menaxhoje.

Nisur nga sa më sipër mund të përmbledhim një kosto minimale vjetore për një biznes. Për shembull, babai i një mikes sime i cili është pensionist dhe që ndërkohë ka një dyqan perimesh, me një llogari fare të thjeshtë, i duhet të paguaj në vit:

  • Çertifikatën e fiskalizimit = 4.000 lekë (e rinovueshme çdo vit)
  • Aplikacioni (çmim minimal) = 7.400 lekë (60 euro)
  • Internet (i mire) = 2.000 lekë

TOTALI                                                                                 = 13.400 LEKË NË VIT

Pra kostua minimale shtesë do të jetë 1.200 lekë të reja.
Për bizneset që kanë më shumë se një pikë shitje kjo kosto shumëfishohet aq sa pika shitje kanë.

Një klienti im i cili ka shumë pika shitje, më reklamoi se përveç kostos që i duhej të paguante çdo vit problem shumë të madh kishte edhe stafin. Ai më tha: “Në pikat e mia të shitjes kam një përgjegjës dhe dy punëtorë. Përgjegjësit i kam mësuar të pres faturën me TVSH si dhe të presë kasën, por ai nuk di të përdor kompjuterin. Çfarë duhet të bëj unë, duke qenë se tani e tutje më duhet të kem një punonjës që të kuptojë edhe informatikë? Duhet ta heq nga puna këtë person që ka 10 vjet punë tek unë apo të marrë një punonjës më të ri i cili sigurisht do një pagë më të lartë se punonjësi ekzistues dhe të mbaj edhe punonjësin e vjetër? Si më këshillon?”.
Në fakt nuk kisha asnjë këshillë.

Por mos mendoni se hallet e biznesit do të mbyllen këtu. Nuk dua të përmend këtu që babai pensionist i mikes sime ka një telefon me butona dhe e ka të pamundur të përdor telefon me prekje, por dua të përmend hallet që fillojnë me emetimin e një fature.

E fillova praktikën time me një faturë kundrejt Prokurorisë së një rrethi për një raport që kisha kryer. Pasi prita më shumë se dy javë që fatura të pranohej dhe të fiskalizohej, papritur pashë se ajo u refuzua. Arsyen nuk e gjeta askund. Pra nëse biznesi i shet një shërbim apo një mall një biznesi tjetër ai duhet të presë derisa biznesi blerës ta pranojë. Nëse ai nuk e pranon edhe pse furnizimi (shërbim apo mall) është kryer ju nuk mund të paguheni.

Problemi tjetër qëndron tek momenti i pranimit të faturës nga ana e blerësit. Nëse fatura ka 30 ditë afat pagese, ligji i jep blerësit 60 ditë afat për të pranuar faturën dhe ta fiskalizojë atë, pra ndërkohë data e pagesës së faturës ka kaluar.

Po kur ndërpriten dritat, sepse biznese nuk ka vetëm në Tiranë? Duhet të njoftohen, me shkrim, organet tatimore madje duke vërtetuar me fakte se përse nuk keni mundur të transmetoni.

Unë nuk e kuptoj dot se si mund të vertëtosh mungesën e dritave?! Unë kuptoj se nisur nga problemet që ka në Shqipëri me furnizimin me energji, me furnizimin me internet e problematika të tjera të këtij lloji, bizneset duhet të punësojnë një person për të kryer korrenspondencat me organet tatimore.

Një prej operatorëve të licensuar më tha se ishin krej të konsumuar mendërisht dhe fizikisht nga procesi. “Klientëve iu ndodhin problematika nga më të ndryshmet – më tha- dhe ai me të drejtë kërkon që ne t’ia rregullojmë në një kohë shumë të shkurtër, por problemi qëndron se ne nuk mundemi aq shpejt duke qenë se as ne vetë nuk e dimë se çfarë problematikash mund të dalin. Kur zgjohem në mëngjes dhe marr telefonin të lexoj lajmet, lutem që të ketë dalë një akt normativ, një vendim a ku di unë çfarë që të ndalojë këtë marrëzi të momentit ose të paktën të na japë më shumë kohë të gjithëve se nuk po mundemi më.”

Kështu si ai njësoj lutem edhe unë.

*Ky shkrim është shkruar për Dosja.al. Ndalohet ribotimi pa citimin e autorit

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit