Fjalimi i Ramës në KiE, reagon Kurti: Nuk mund të mbrosh Kosovën pa adresuar krimet e Serbisë

Fjalimi i Ramës në KiE, reagon Kurti:…

Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, është pyetur për fjalimin e Edi Ramës në Këshillin e Europës, por është shprehur se nuk e ka dëgjuar atë, edhe pse më pas është shprehur se nuk mund të flitet për luftën dhe të mbrohet Kosova pa adresuar krimet e Serbisë në Kosovë.

“Nuk di a kam kontribuar në fjalimin e kryeministrit Rama sepse nuk e kam dëgjuar, pra nuk kam pasur mundësi ta dëgjoj, kam qenë në Pejë sot dhe tërë ditën nëpër takime të shumta e në mbrëmje vonë përpiqem të përditësohem për mëngjesin e nesërm”, ka thënë Kurti.

Kryeministri i Kosovës ka thënë se faktorët ndërkombëtar do të duhet të mobilizohen për ndjekjen e krimeve që Serbia i ka kryer në Kosovë.

Ai ka thënë se qëndrimet dhe kundërshtimin e tij për Gjykatën Speciale i ka shprehur në kohën kur është themeluar ajo dhe se nuk ka çka të shtojë.

“Mund të them që Dhomat e Specializuara nuk janë karakterizuar nga transparenca, nuk mund të lavdërohen për transparencë dhe gjithashtu së shpejti bëhen dy vjet që kemi mbajtje në paraburgim pa një datë gjykimi. Mbi të gjitha besoj që faktorët ndërkombëtar do të duhej të mobilizohen që krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nga forcat e Serbisë të ndiqen dhe gjithashtu përgjegjësit dhe fajtorët të gjykohen dhe dënohen. Andaj kudo që flet në arenën ndërkombëtare do të duhej nga faktorët ndërkombëtar ta trajtojë këtë çështje sepse në Kosovë ka ndodhur gjenocidi për ta ndaluar ka intervenuar NATO dhe kemi pa numër krime të pa adresuara. Pra nuk mund të flasësh për luftën në Kosovë dhe ta mbrosh Kosovën pa e adresuar krimin e Serbisë në Kosovë”, ka thënë Kurti.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit