Flakët përpijnë tragetin në Indonezi, 5 viktima dhe dhjetëra të zhdukur

Flakët përpijnë tragetin në Indonezi, 5 viktima…

Të paktën pesë persona kanë humbur jetën, ndërsa 41 të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një traget me 271 pasagjerë dhe anëtarë ekuipazhi u përfshi nga flakët në det, pranë ishullit Madura në Indonezi.

Sipas autoriteteve indoneziane të kërkim-shpëtimit (Basarnas), trageti KMP Mutiara Sentosa 2 ishte nisur nga qyteti Surabaya, në provincën Java Lindore, me destinacion Makassar, në Sulawesi Jugore, kur rreth orës 06:00–07:00 me orën lokale shpërtheu zjarri.

Kapiteni i anijes njoftoi kompaninë operuese për incidentin, por më pas komunikimi me tragetin u ndërpre. Deri në orët e paradites, autoritetet konfirmuan se anija ishte pothuajse e përfshirë plotësisht nga flakët, ndërsa pasagjerët prisnin shpëtimin duke qëndruar në pjesën e përparme dhe në urën e komandimit.

Pamjet e publikuara nga mediat lokale dhe në rrjetet sociale tregojnë momente dramatike, me dhjetëra pasagjerë të veshur me jelekë shpëtimi që hidhen në det për t’i shpëtuar flakëve, ndërsa tym i dendur ngrihet nga trageti. Varka shpëtimi dhe mjete të tjera lundruese kanë evakuuar të mbijetuarit, duke u hedhur edhe mjete shpëtimi personave që ndodheshin në ujë.

Deri më tani janë shpëtuar 225 persona, ndërsa operacioni i kërkim-shpëtimit për 41 të zhdukurit vijon. Në operacion janë angazhuar anije të rojës bregdetare, mjete civile dhe një luftanije e Marinës indoneziane.

Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur shkakun e zjarrit. Përpjekjet për shpëtimin u vështirësuan edhe nga deti i trazuar dhe dallgët e larta, ndërsa një anije mallrash që ndodhej pranë nuk mundi t’i afrohej tragetit për shkak të ngarkesës së ndezshme që transportonte.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit