
Babai i Aamrildo Ndojit njërit prej të plagosurve nga ngjarja e ndodhur tri ditë më parë na Laç, ka thënë për mediat se i biri nuk ka konflikte me askënd, dhe se nuk kishte lidhje me konfliktin, por ishte futur të ndante të tjerët.
“Djali është në gjendje të rëndë, presim që të operohet. Kishte 5 minuta që pati dalë nga shtëpia, e ka kapur e pabëra kot. Ka hyrë me ndarë të tjerët, nuk ka pasur asnjë zënkë me asnjë.
Nuk kam qenë në dijeni të asnjë sherri apo problemi që të ketë pasur. Ne e dëgjuam në televizor si ngjarje, më tha bashkëshortja paskan plagosur Aldon. Kaq dimë, asgjë më shumë. Djali ka qenë me Klevis Ndrecën. Në këto momente nuk kemi asgjë çfarë të themi, lutemi të na shpëtoj djali”, tha Tonin Ndoj.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 3 majit ku të rinjtë u përfshinë në një konflikt i cili agravoi deri në përdorimin e armëve të zjarrit. Policia më herët tha se konflikti mes të rinjve nisi për motive të dobëta, për shkak të një aksidenti rrugor me dëme të vogla materiale dhe më pas vijoi me përdorimin e armëve.
Klevis Ndreca ka qenë në makinë me Amarildo Ndojn, ndërsa Daniel Gjeloshi 26 vjeç ka qenë në makinë me Liridon Ismailaj dhe Gerald Bitrin. Menjëherë ata u dërguan drejt Spitalit të Traumës, por fatkeqësisht disa orë më vonë, njëri prej të plagosurve, 24-vjeçari Gerald Bitri nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.