
Shyqyri Nevruzi, babai i recepsionistit Eraldo Nevruzi që u vra nga pronari i hotel Greccia në Himarë, ka folur për herë të parë publikisht rreth të birit.
Ai ka dyshime se vrasja dhe më pas fshehja e trupi të të birit mund të ketë ardhur për një konflikt të çastit, ose se i biri mund t’i ketë kërkuar lekët pronarit të hotelit dhe ky i fundit të mos ja ketë dhënë.
“Djali ka një muaj që ka shkuar në Dhërmi, do punonte në një lokal tjetër. Lokali nuk ishte bërë gati dhe kishte shkuar te ky hoteli që para një jave për të kërkuar punë si barist. E vjehrra e autorit që është pronarja e hotelit e kishte kërkuar recepsionist se djali dinte tre gjuhe të huaja, dhe çuni i kishte kërkuar pagën 1.5 milion lekë të vjetra dhe kishin rënë dakord. Lajmin e mora vesh nga televizori. Djemtë nga Korça nuk i njoh, djali më parë ka pasur një detyrim paraqitje se e kapën me dy gram hashash. Gjithmonë ka qenë i qetë dhe nuk ka pasur probleme me njerëz. Mendoj se ngjarja ka ndodhur si konflikt i çastit, mund të mos i ketë pëlqyer puna. Ose do i ketë kërkuar djali lekë dhe ai nuk ia ka dhënë me 99% këtë mendoj” tha ai.
Trupi i Eraldo Nevruzit u gjet ditën e sotme në një gurore në një zonë malore në Gjipe i mbështjellë me plasmas. Për krimin janë arrestuar pronari i hotelit Gerald Shehu dhe dy punonjësit që e ndihmuan për të fshehur trupin Daniel Qose, 33 vjeç, dhe David Larti, 30 vjeç.