Flutura Açka: Pezullimi i Berishës u bë për të treguar që nuk kemi armiqësi me SHBA

Flutura Açka: Pezullimi i Berishës u bë…

Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka, u shpreh se ish kryeministri Sali Berisha nuk u përjashtua por u pezullua. Në një intervistë të dhënë për rubrikën ”Opinion” në News 24 ajo theksoi në fjalën e saj se, njerëzit duhet ta kuptojnë se kemi të bëjmë me një pezullim të përkohshëm dhe jo me një përjashtim. Deputetja thekson se, kjo duhet të qartësohet në opinionin publik dhe brenda demokratëve pasi ka krijuar shumë konfuzion.

Ajo theksoi se, demokratët duhet të kuptojnë se ky vendim radikal i Lulzim Bashës është në të mirë të Partisë Demokratike.

“Ai është vetëm pezulluar, jo përjashtuar. Është deputet, është në parlament, ka të drejtën për të thënë fjalën e tij si opozitar, një opozitar nga më të rëndësishmit mund të themi.

Preceptimi që u është dhënë demokratëve është i gabuar. Loja dhe frustracioni iu është shitur demokratëve dhe është e vështirë të ndahet sa është personale dhe sa është jo personale, dhe sa është e drejtë dhe sa jo.

Sali Berisha ka bërë opozitë edhe për çështje që kanë të bëjnë me sjellje ndaj Amerikës, deri tani kjo sjellje i është shitur si sjellje e Partisë Demokratike, për shkak se Sali Berisha është i rëndësishëm në partinë Demokratike

Në këtë mënyrë kjo sjellje i atribuohet Partisë Demokratike, vjen një moment që Partia Demokratike duhet të mbajë një sjellje të caktuar pasi nuk duhet vijuar me idenë e këtij armiku, që e kemi shpallur armik në mënyrë të pavullnetshme.

Partisë Demokratike i është dashur të bëjë këtë operacion për të treguar që ne nuk jemi në armiqësi me Shtetet e Bashkuara. Partia Demokratike ka qenë e detyruar nga vendimi i Departamentit amerikan të Shtetit.

Mos harroni se ata që kanë tetë vite që thonë fajin e ka Saliu do të thoshin “ti je non grata, “ti je non grata”, do të merreshin me zotin Berisha nga mëngjesi deri në darkë.

Nëse unë që kam një simpati ndaj zotit Berisha do t’i dëgjoja në parlament këto, nga këta që kanë blerë votat me bandat do të ishte shumë frustruese.

Pezullimi i përkohshëm nuk duhet të keqinterpretohet.

Ndoshta do të duhej të bëhej edhe një komision të urtish në lidhje me vendimet për të neutralizuar qoftë dhe vendimet e nxituara dhe emocionale në Partinë Demokratike.

Ky operacion duhej bërë dhe zoti Basha e ka bërë në mënyrë radikale, pasi dhe mua të më thoshe për pezullimin e përkohshëm të Sali Berishës dhe unë do ta kisha të vështirë ta ngrija dorën. Gjithë demokratët duhet ta kuptojnë se ky vendim është bërë për të ndihmuar Partinë Demokratike ta kalojë këtë moment sa më lehtë”, tha Açka.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit