5 punonjës së institucionit bankar ‘Fondi Besa’ janë dërguar në gjyq nga Prokuroria e Tiranës, e cila i akuzon se nëpërmjet mashtrimit kanë vjedhur të paktën 15 persona duke i marrë kredi në emrin e tyre, por paratë i kanë mbajtur vetë.
Personat që janë dërguar në gjyq janë Ledio Vrapi, Lindita Ndroqi, Eros Aliu, Lindita Peçi dhe Majlinda Demollari. Ndaj tyre rëndojnë akuzat e ‘mashtrimit’ dhe ‘falsifikimit të dokumentave’.
Sipas hetimeve, këta persona duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, kanë shpërdoruar besimin e qytetarëve, duke përvetësuar shumat e të paktën 15 kredive të marra në emër të qytetarëve. Prokuroria thotë se Ledio Vrapi ka shtyrë qytetarët që të hapin llogari bankare në emrin e tyre, duke u premtuar se do t’u kalonte shuma monetare që i kishte përfituar në emigrim në Gjermani, por nuk donte që t’i kalonte të gjitha në emrin e tij sepse tërhiqte vëmendjen e institucioneve.
Pasi i kishte mashtruar qytetarët, Ledio u kishte marrë të dhënat e llogarive dhe duke bashkëpunuar me punonjësit e Fondit Besa, kishte marrë me to kredi në vlerë 5-7 milion lekë të vjetra.
Më pas qytetarët kanë shkuar në bankë duke i tërhequr këto para që në fakt ishin marrë si kredi në emrin e tyre, dhe ia kishin dorëzuar Ledios. Ky u kishte dhënë si shpërblim 500 mijë lekë të vjetra.
Marrja e kredive ishte bërë pasi Ledio Vrapi u kishte marrë kartat e ID-së qytetarëve, dhe më pas kishte bashkëpunuar me Lindita Peçin, Eros Aliu dhe Lindita Ndroqin nga institucioni bankar, duke marrë kreditë në emër të qytetarëve.
“Ndërsa shtetasja Majlinda Demollari, në cilësinë e Noteres, ka kryer veprën penale të ‘Falsifikimi i dokumenteve”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Mashtrimet me kreditë dhe skemat e mikrokredive kanë shkaktuar shumë drama në Shqipëri, ku dy javë më parë Pal Trashaj nga Lezha vendosi t’i japë fund jetës duke pirë fostoksinë përpara dyerve të SPAK.