“Ky bregdet po kalon nga fshehtësia e udhëtarëve minimalistë në një perlë të Mesdheut.”
Revista ndërkombëtare “Forbes” i ka kushtuar një artikull të posaçëm rivierës shqiptare, duke vënë theksin tek plazhet e Palasës, Dhërmiut dhe Jalës, të cilat po fitojnë gjithnjë e më shumë vëmendje në skenën turistike ndërkombëtare.
Për dekada me radhë, destinacionet klasike të Mesdheut si Capri, Saint-Tropez, Mykonos apo Ibiza kanë dominuar hartën turistike, megjithëse tashmë kanë humbur shumë nga origjinaliteti i tyre. Siç shkruan “Forbes”, këto vende janë shndërruar në pika luksi të tepruar, ku çmimet janë të kripura dhe autentikja është zëvendësuar nga komercialja. Në këtë sfond, Shqipëria ofron një alternativë të freskët dhe të papërpunuar.
E vendosur midis Greqisë dhe Malit të Zi, përgjatë një vije bregdetare të mrekullueshme me Detin Jon, Shqipëria për shumë vite ka qenë e izoluar për shkak të historisë së saj komuniste. Kjo izolim e ka ruajtur të paprekur dhe sot ajo paraqitet si një perlë ende e pazbuluar.
Në jug të vendit ndodhet Riviera Shqiptare, e cila ofron plazhe të bukura me guralecë dhe ujëra të kristaltë, krahasuar shpesh me ato të Greqisë apo Italisë. Në Palasë, vizitorët mund të qëndrojnë në “Green Coast Hotel”, një resort modern me pesë yje. Aventurierët mund të provojnë parashutizmin mbi shkëmbinj, një dëshmi e transformimit të shpejtë të këtij bregdeti – dikur strehë e udhëtarëve me çanta shpine, tani një destinacion luksoz në zhvillim.
Disa kilometra më në jug ndodhet Dhërmiu, një plazh i njohur për baret verore plot jetë dhe mikpritjen tradicionale në hotele të vegjël familjarë. Më tej është Jala, që tërheq kryesisht të rinjtë, sidomos gjatë festivaleve të muzikës verore.
Për ata që kërkojnë qetësi dhe natyrë të paprekur, Gjipeja është zgjedhja ideale – një gji i fshehur që mund të arrihet vetëm në këmbë ose me varkë. Pa hotele, pa shezlongë të rreshtuar – vetëm natyrë dhe paqja që ajo ofron.
Sipas “Forbes”, ajo që e bën Shqipërinë të veçantë për momentin është pikërisht ajo që mungon: nuk ka resorte gjigante, nuk ka shezlongë me çmime marramendëse, as turma të mëdha që grumbullohen pranë monumenteve historike. Rrugët janë ende në zhvillim, autobusët mund të vonohen, por kjo kompensohet nga mikpritja, ushqimi i bollshëm dhe i shijshëm, vera vendase dhe rakia tradicionale që vendasit janë të gatshëm ta ofrojnë me bujari.
Ndryshimet, megjithatë, po ndodhin me ritme të shpejta. Hyrja në funksion së shpejti e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës pritet të rrisë ndjeshëm numrin e turistëve ndërkombëtarë. Po ashtu, brendet e mëdha të hoteleve kanë filluar të investojnë në rivierën shqiptare.
Për ata që janë në kërkim të një pjese ende të pashkelur të Mesdheut – me qytete me arkitekturë osmane, male të egra dhe plazhe të pacenuara nga zhvillimi masiv – Shqipëria është një destinacion që duhet vizituar tani, sa ende ruan shpirtin e saj autentik.