Një aksident rrugor është regjistruar paraditen e kësaj të shtune në Unazën e Madhe të Fierit, ku një automjet i markës “Ford” ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, për shkaqe që mbeten ende nën hetim.
Si pasojë e aksidentit, ka mbetur i plagosur një i mitur që udhëtonte në sediljen e pasme të mjetit. Ai është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit, ku po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet për dokumentimin e aksidentit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në daljen e automjetit nga rruga.
Ndërkohë, gjendja shëndetësore e të miturit pritet të bëhet e ditur pas përfundimit të ndërhyrjes mjekësore, ndërsa hetimet lidhur me aksidentin vijojnë.