FOTO/ Një udhëtim spektakolar drejt pikës më të lartë të Shqipërisë

FOTO/ Një udhëtim spektakolar drejt pikës më…

Jo vetëm brigjet e detit dhe plazhet, por vitet e fundit edhe malet dhe fshatrat e Shqipërisë po bëhen një atraksion turistik interesant.

Pamje me foto dhe video kanë kohë që qarkullojnë edhe nga zona si Thethi, Valbona, Lëpusha, Lumi i Shalës, apo edhe viset e Jugut, si Përmeti, Gjirokastra, Korça.

Ndërkohë shumë pelegrinë kanë kohë që ngjisin edhe malin e Tomorit, duke treguar se edhe në ato zona ka një atraksion vërtet mahnitës për turizmin.

Por “Gazetaatdheu.com” sot me anë të këtyre fotove do t’ju ngjisë drejt kulmit më të lartë të vendit tonë…

A e dini se cili është mali më i lartë i vendit tonë? A jeni ngjitur ndonjëherë në malin e Korabit?

Më parë duhet të shkoni në Peshkopi dhe që andej nga fshati Radomirë i këtij rrethi, nis edhe ngjitja për në malin më të lartë të vebdit tonë, Malit të Korabit plot 2764 metra mbi nivelin e detit.

Korabi është një nga malet më të larta të Europës Juglindore, i cili shtrihet përgjatë kufirit të Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Është një vend i pasur me bukuri të rralla natyrore, me gurë, shkëmbinj dhe kullota të pafund, i cili vizitohet nga shoqata të shumta alpinistësh të cilët arrijnë të ngjiten edhe deri në majën e tij.

Vargmali i Korabit shtrihet mbi 40 kilometra në drejtimin Veri-Jug midis pjesës së poshtme të Drinit të Zi dhe lumit Radika.

Korabi është i vendosur rreth trekëndëshit kufitar të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës, në Jugperëndim të maleve të Sharrit.

Korabi, është një masiv shumë i thyer malor dhe përbëhet kryesisht nga shkëmbinj që njihen si rreshpe gëlqeror të paleozoikut me strukturat në blloqe. Në anën perëndimore, mali bie thikë mbi muret shkëmbore.

Ana veriore përbëhet nga shkëmbinj të thepisur. Një lloj i kulmit të dyfishtë është Maja e Korabit I dhe II, që arrin lartësinë 2756 metra dhe është rreth 150 metra në veriperëndim të “Majës së Korabit” brenda territorit shqiptar.

Juglindja, duke pasur pak zona shkëmbore e ndajnë disa livadhe, të cilat arrihen shumë thjesht dhe herë pas here nga barinjtë me kopetë e tyre.

Përveç “Majës së Korabit”, ka disa të tjera, pothuajse në të njëjtën kuotë lartësie.

Në veri të majave binjake ka një numër të shumtë të majave tjera të paemëruara me kulla shkëmbore.

Disa qindra metra në jug është “Maja e Moravës”, e cila është në 2718 metra lartësi.

Majat janë gërryer herë pas here nga tektonika radiale në formën e blloqeve që mund të vërehen në fund të “Luginës Radika”, nga pala e Republikës të Maqedonisë.

Këto blloqe herë pas here kanë shpate të pjerrëta që arrijnë deri në 500 metra lartësi.

Mali Korab është shtëpi për ujëvara spektakolare në luginën e sipërme të lumit “Përroi i Thellë”.

Kufiri shtetëror ndërpret majën më të lartë “Korabi i Madh”.

Ngjitja nga pala e Republikës së Maqedonisë përfshin hyrjen në zonën kufitare Maqedoni-Shqipëri, për të cilën është e nevojshme leje e veçantë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Maqedonisë, edhe pse njerëzit rregullisht shkelin në Korab edhe pa të.

Mali i Korabit konsiderohet si një nga bukuritë e rralla natyrore që karakterizon malet shqiptare dhe duhet që patjetër të vizitohet, që të mund të shikohen vlerat natyrore që posedon ky mal.

[ngg src=”galleries” ids=”233″ display=”basic_imagebrowser”]/Gazetaatdheu.com/

 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit