Fotot kompromentuese/ Sotiraq Filo në krah të familjes së falsifikatorit Arben Reli. Çfarë interesi ka?

Fotot kompromentuese/ Sotiraq Filo në krah të…

Bashkia Korçë është bërë palë me falsifikatorin Arben Reli, i cili po hetohet për disa vepra penale, që parashikojnë deri në 10 vite burg. Por, kreu i qytetit juglindor, Sotiraq Filo, ka sfiduar hapur drejtësinë, duke pozuar me anëtarë të familjes Reli. Dhe, për më tepër, pozon ballëlartë, duke “ligjëruar” ato çka ka bërë kjo familje në një nga zonat më të bukura të Korçës, Malin e Moravës. Gjykata, Prokuroria, Kadastra dhe vetë Bashkia e Korçës kanë konstatuar mijëra metra katrorë ndërtim pa leje në këtë resort. A i pa këto ndërtime Sotiraq Filo kur pozoi në ambientet e këtij resorti, me emër fals? Për koiçidencë, fotografitë e Filos me familjen Reli janë bërë në muajin shkurt 2020. Dhe, Filo, nëse do të hidhte vështrimin nga dritarja, do të shikonte që Mali i Moravës po “kafshohej”.

Në muajt e dimrit 2020, në atë vend ishin hapur themele. Ishte hedhur beton, llaç e tulla. Madje, po bëhej edhe çati. Të gjitha, me vetëm një deklaratë punimesh, ku parashikohej të bëheshin punime të brendshme. Nëse të “deleguarit” nga Tirana nuk ishin në dijeni të punimeve, po Filo përse nuk ndërhyri para organeve të drejtësisë? Përse nuk i evidentoi më para? Atij i mjaftonin disa minuta, duke pyetur drejtoreshën e Urbanistikës dhe kryeinspektorin e IMT-së. Por, jo vetëm që nuk e bëri, por shkoi dhe doli në foto me këtë familje.

Fotot, e siguruara nga Gazeta Atdheu dhe që po i botojmë, janë realizuar në ambientet e brendshme të resortit. Më parë, quhej “Morava Resort”, me dy bashkëortakë, S.B dhe falsifikatori Arben Reli. Ky i fundit, me falsifikime dhe mashtrime, ia ndryshoi emrin në “Montrelux”, duke anashkaluar ortakun tjetër. Më pas ndërtoi mijëra metra katrorë, ditën dhe natën, në sytë e vetë krerëve të Bashkisë Korçë. Të gjitha këto falsifikime dhe mashtrime, nuk u evidentuan asnjëherë, duke ngritur hije të mëdha dyshimi se Reli ka “bashkëpunëtorë” edhe nga pushteti lokal. Dyshime që faktohen nga fotot që po publikojmë bashkëlidhur këtij shkrimi.

A e di Filo dhe drejtorët e tjerë të Bashkisë Korçë që Reli ka disa gjyqe dhe procedime të hapura? Për kujtesë të tyre, po rendisim vetëm akuzat për të cilat ai po hetohet. Akuza e parë është ndërtimi pa leje, ndërsa dosja është regjistruar në akuzat e Tiranës dhe Korçës edhe për “shpërdorim detyre”, “falsifikim i dokumenteve”, “prerje e paligjshme pyjesh” si dhe “mashtrim me pasoja të rënda”. Ka dosje të hapura edhe për shpërdorim detyre, por deri më tani janë pa emra personash. Megjithatë, “laku” sa po vjen dhe ngushtohet, pasi në këtë “valle” po rezultojnë edhe vetë krerët e Bashkisë së Korçës. Çfarë interesi kanë pasur? Përse e kanë lejuar? Përgjigjet e këtyre pyetjeve, por edhe shumë të tjerave, duket se do t’i japë përgjigje Prokuroria e Tiranës dhe e Korçës, e cila pritet të zgjerojë hetimet, duke shkuar edhe te zyrtarët e pushtetit lokal.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit