Franca bëhet shteti i parë në botë që njeh abortin si të drejtë kushtetuese

Franca bëhet shteti i parë në botë…

Franca bëhet vendi i parë në botë që ktheu abortin në një të drejtë kushtetuese.

Kjo e drejtë u miratua nga parlamenti me 780 vota pro dhe 72 kundër në një kongres të rrallë parlamentar në Pallatin e Versajës, pas miratimit të projektligjit në Senat.

Për këtë vendim historik ka reaguar dhe presidenti francez Emmanuel Macron, i cili e ka quajtur këtë zhvillim një krenari për Francën, duke e komentuar si një mesazh universal.

Macron është zotuar vitin e kaluar se do ta përfshijë të drejtën e abortit – hap ligjor në Francë prej vitit 1974, në Kushtetutë, pasi Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara e pati përmbysur më 2022 ligjin që e mundëson këtë procedurë. Aktualisht është në dorën e secilit shtet në SHBA që të vendosë për ndalim apo lejim të procedurës.

Dhoma e ulët e Parlamentit të Francës e ka miratuar me shumicë vendimin që e bën abortin “liri të garantuar” në Kushtetutë. Përmes një votimi historik më 28 shkurt, më shumë se 80 për qind e votuesve në Senatin e dominuar prej konservatorëve ia kanë dhënë dritën e gjelbër projektligjit.

Aborti është legalizuar në Francë më 1974 përmes një ligji të shtyrë përpara prej Simone Veilit, atëbotë ministre e Shëndetësisë, një grua ikonë për të drejta të grave. Pjesa më e madhe e popullit francez e përkrah vendimin për të siguruar një mbrojtje shtesë për këtë drejtë.

Një sondazh i kryer prej kompanisë franceze IFOP, në nëntor të vitit 2022, ka gjetur se 86 për qind e popullit francez e përkrah idenë e përfshirjes së ligjit në Kushtetutë. Politikanët e krahut të majtë dhe ata të qendrës e kanë mirëpritur reformën, derisa senatorët e krahut të djathtë kanë thënë privatisht se ndihen nën presion për ta miratuar atë.

Një deputete ka thënë se vajzat e saj nuk do ta vizitonin më kurrë për Krishtlindje, nëse ajo nuk do të votonte për projektligjin.

Herën e fundit kur është bërë thirrje për ndryshim të Kushtetutës ka qenë viti 2008, kur deputetët i kanë miratuar disa reforma nën presidencën e Nicolas Sarkozyt. Në mesin e atyre ndryshimeve ka qenë kufizimi i mandateve presidenciale në dy të tillë, si dhe mbrojtja dhe pavarësia më e madhe për mediat.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit