Franca, një nga favoritët kryesorë për të fituar Botërorin, nis sonte fazën me eliminim direkt me përballjen ndaj Suedisë. Pas një faze grupesh mbresëlënëse, ku realizoi 10 gola dhe e mbylli me pikë të plota, kombëtarja franceze konsiderohet favoritja absolute për të siguruar një vend në 1/8-at e finales.
Edhe legjenda suedeze, Zlatan Ibrahimoviç, nuk beson se vendi i tij mund të shkaktojë surprizën. Në prag të ndeshjes, ai u shpreh se nuk sheh asnjë kombëtare të aftë ta eliminojë Francën në këtë Botëror, ndërsa shtoi se Suedia do ta ketë pothuajse të pamundur të mbajë portën e paprekur përballë sulmit francez.
Për “Gjelat” rikthehet në pankinë edhe trajneri Didier Deschamps, i cili mungoi në ndeshjen e fundit të grupeve për shkak të një fatkeqësie familjare. Tekniku francez pranoi se skuadra e tij hyn në fushë si favorite, por theksoi se kjo duhet të vërtetohet me lojë. Ai garantoi se Franca nuk do të ndryshojë filozofinë e saj dhe do të vazhdojë të sulmojë, duke u mbështetur te potenciali i madh ofensiv.
Në krahun tjetër, Suedia u kualifikua si e treta në grup dhe nuk vjen në momentin më të mirë, pasi në ndeshjen e fundit u mposht thellë 5-1 nga Holanda. Megjithatë, nordikët shpresojnë të sfidojnë çdo parashikim dhe të surprizojnë favoritët.
Fituesi i kësaj përballjeje do të gjejë përballë Paraguain në fazën e 1/8-ave të Botërorit.
Ndërkohë, në orën 03:00 do të zhvillohet edhe sfida tjetër e fazës së 1/16-ave, ku Meksika pret Ekuadorin në stadiumin “Azteca”. Vendasit konsiderohen favoritë, pasi e mbyllën fazën e grupeve me maksimumin e pikëve dhe synojnë të vazhdojnë rrugëtimin përpara tifozëve të tyre.