Franca shpalos propozimin diplomatik për Iranin në përpjekje për të shmangur përshkallëzimin e luftës me Izraelin

Franca shpalos propozimin diplomatik për Iranin në…

Franca i ofron Iranit një marrëveshje me katër pika për të ndalur konfliktin me Izraelin dhe për të rikthyer balancën në Lindjen e Mesme

Presidenti francez Emmanuel Macron ka njoftuar një plan diplomatik që Franca, së bashku me aleatët evropianë, do t’ia paraqesë Iranit përmes bisedimeve që zhvillohen sot në Gjenevë. Ky propozim ka për synim të ndalojë përshkallëzimin e konfliktit të hapur midis Izraelit dhe Iranit, si dhe të rivendosë një ekuilibër më të qëndrueshëm në rajon.

Sipas Macronit, plani i përbashkët përmban katër pika thelbësore, të cilat synojnë frenimin e ambicieve bërthamore dhe veprimtarive ushtarake të Iranit. Pika e parë është rikthimi i inspektimeve të plota të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), me objektivin për “zero pasurim” të uraniumit nga ana e Teheranit.

Pika e dytë përqendrohet në monitorimin e rreptë të programeve të raketave balistike që zotëron Irani. Macron theksoi se ky është një hap thelbësor për të garantuar sigurinë rajonale dhe për të shmangur një garë armatimesh në Lindjen e Mesme.

Propozimi përfshin edhe ndalimin e çdo lloj financimi që Irani i jep grupeve të armatosura në rajon. Kjo pikë është veçanërisht e rëndësishme për partnerët perëndimorë, të cilët e shohin këtë mbështetje si nxitëse të konflikteve në Gaza, Liban dhe Jemen.

Elementi i fundit ka të bëjë me lirimin e menjëhershëm të të burgosurve të huaj në Iran, të cilët Macron i cilësoi si “pengje”. Ai kërkoi nga autoritetet iraniane të tregojnë vullnet real për bashkëpunim dhe gatishmëri për dialog të hapur me Evropën. Ja katër pikat:

-Rifillimi i punës së Agjencisë së Energjisë Atomike të Kombeve të Bashkuara (IAEA) me qëllim “zero pasurim” të uraniumit.

-Monitorimi i aktiviteteve të raketave balistike të Iranit.

-Dhënia fund e financimit të organizatave të armatosura në rajon nga Teherani.

-Lirimi i “pengjeve” nga Irani (referuar të huajve të mbajtur në burgjet iraniane).

Në përfundim, kreu i Elizesë deklaroi se nëse Irani nuk e merr këtë ofertë si një shans për të shmangur konfliktin, atëherë përplasja me Izraelin mund të kthehet në një krizë më të gjerë dhe më të pakontrollueshme. Macron nënvizoi se topi tani është në fushën e Iranit dhe se përgjegjësia për hapat e ardhshëm është krejtësisht e Teheranit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit