Fredi Beleri: Shqipëria s'është gati për t’u anëtarësuar në BE, drejtësia ka dështuar!

Fredi Beleri: Shqipëria s’është gati për t’u…

Eurodeputeti Fredi Beleri ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, gjatë mbledhjes së Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, duke deklaruar se vendi nuk i plotëson ende kushtet për anëtarësim.

Gjatë fjalës së tij në Strasburg, Beleri u shpreh se Shqipëria vijon të përballet me probleme serioze në funksionimin e shtetit të së drejtës, duke veçuar sistemin e drejtësisë dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore.

Sipas tij, reforma në drejtësi dhe procesi i vettingut kanë pasur mangësi, ndërsa pretendoi se disa gjyqtarë janë përjashtuar nga procesi dhe të tjerë kanë çështje ligjore të hapura në vende të Bashkimit Evropian.

“Kur miratojmë ligje, është e rëndësishme të shohim edhe problemet e rënda. Shohim probleme në fushën e drejtësisë dhe në zbatimin e vendimeve gjyqësore. Reforma në drejtësi dhe vettingu kanë pasur pika të dobëta”, deklaroi ai.

Më tej, eurodeputeti pretendoi se gjatë 12 viteve të fundit nuk ka pasur asnjë çështje të përfunduar nga gjykatat, duke e cilësuar këtë si tregues të mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë.

Beleri ngriti gjithashtu shqetësime për luftën kundër krimit të organizuar, duke pretenduar se organizatat kriminale janë të përfshira në trafikun e drogës dhe duke bërë akuza për mënyrën se si, sipas tij, janë administruar sipërfaqe toke në vend.

Në përfundim të fjalës së tij, ai deklaroi se pa një gjyqësor të pavarur nuk mund të ketë shtet të së drejtës dhe, për rrjedhojë, as anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Disa thonë se Shqipëria është gati për t’u anëtarësuar. Këta persona ose nuk e shohin situatën reale, ose kanë një perceptim të gabuar për gjendjen në vend”, u shpreh Beleri.

Deklaratat e eurodeputetit vijnë në një kohë kur institucionet shqiptare dhe shumica e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian kanë vlerësuar ecurinë e negociatave të anëtarësimit, ndërsa procesi i integrimit mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit