Frontex: Shqiptarët e parregullt në BE kryesojnë listën e "kthimeve të detyruara" në 2021

Frontex: Shqiptarët e parregullt në BE kryesojnë…

Emigrantët shqiptarë me qëndrim të parregullt në vendet e Bashkimit Evropian renditen në vendin e shtatë në listën e dhjetë vendeve me flukset më të mëdha migratore sipas të dhënave të publikuara nga raporti i fundit i Organizatës Evropiane për Mbrojtjen e Kufijve, FRONTEX.

Sipas Raportit “Brief Analysis 2022-2023” numri i tyre u rrit në vitin 2021 me 25,892 persona që përbëjnë 5% të numrit total të të huajve me qëndrim të paligjshëm në vendet e Bashkimit Evropian. (468,719 nga totali)Numri i emigrantëve shqiptarë me këtë status është rritur me 18% krahasuar me vitin 2020, ku ishin 21,890 shtetas shqiptarë me qëndrim të paligjshëm në vendet e BE-së.

Në vitin 2021, Bashkimi Evropian raportoi rreth 200,000 kalime të paligjshme kufitare në shtetet anëtare. Kjo sipas raportit ishte më e larta e regjistruar që nga viti 2017. Rrugët e Mesdheut Qendror, Ballkanit Perëndimor dhe Afrikës Perëndimore ishin tre rrugët kryesore me flukset më të larta të migrantëve të parregullt të regjistruar gjatë vitit 2021.

“Edhe përballë kërkesave strikte për migrimin legal në Evropë, shpesh e vetmja zgjedhje e hapur për migrantët është migrimi i parregullt, i cili shpesh rezulton në një situatë të rëndë humanitare”, thuhet në raport.

Ndërkohë, sipas të dhënave të raportit, autoritetet kufitare të vendeve të Bashkimit Evropian në vitin 2021 refuzuan hyrjen në vendet e BE-së për 17725 shtetas shqiptarë nga 11653 sa ishte ky status refuzimi në vitin 2020.

Shumica e refuzimeve, rreth 8,000, erdhën pasi emigrantët nuk kishin dokumente në pikat kufitare që justifikonin udhëtimin në një vend të Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, shqiptarët zënë vendin e dytë të kthimeve efektive nga vendet e Bashkimit Europian nëpërmjet dy rrugëve, kthimeve “vullnetare” dhe “të detyruara”.

Në vitin 2021, kthimi ishte për 8,702 persona, ndërsa në vitin 2020 ishte 7,935 persona.Sipas të dhënave të FRONTEX, emigrantët e parregullt shqiptarë kryesojnë listën e të huajve të parregullt të kthyer me forcë në vendin e origjinës në vitin 2021 me 5398 persona nga 4801 persona që janë kthyer në vitin 2020.

Ndërkohë, kthimi vullnetar u pranua në vitin 2021 nga rreth 2944 persona nga Shqipëria, nga 2771 në 2020.

Frontex paralajmëron në analizën e rrezikut se në vitet 2022 dhe 2023 ka të ngjarë të shohin një rritje të mëtejshme të imigracionit të parregullt në kufijtë e BE-së bazuar edhe në faktorët shtytës politikë dhe socio-ekonomikë në nivel kombëtar të vendeve kryesore të origjinës. si dhe nxitës të nivelit më të lartë si inflacioni i vazhdueshëm global dhe rritja e çmimeve të ushqimeve pas luftës në Ukrainë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit