Fshehu dënimin por KQZ nuk ia hoqi mandatin, Kreu i PD Mat: Agron Malaj ilegjitim

Fshehu dënimin por KQZ nuk ia hoqi…

Kryetari i Partisë Demokratike Mat, Arjan Lika, ka reaguar ashpër me anë të një statusi në Facebook pas konfirmimit në detyrë të kryebashkiakut Malaj. Ai e ka cilësuar Agron Malajn si një kryebashkiak ilegjitim që nuk duhet të vazhdonte në këtë detyrë. Lika nuk është kursyer as ndaj kryesocialistit matjan Hasan Pasha të cilin e ka cilësuar zëdhënës për shtyp të padronit të tij Agron Malaj.

Kujtojmë se një ditë më parë, me 5 vota pro, KQZ vendosi të lërë në detyrë Agron Malajn, kryetar i Bashkisë Mat. Ai u denoncua nga PD se është në kushtet e papajtueshmërisë në ushtrimin e detyrës për shkak të dënimit me 10 muaj burg në vitin 1999, për armëmbajtje pa leje.

Sipas KQZ, Agron Malaj nuk përfshihet në kushtet e ndalimit për të ushtruar detyrën e kryebashkiakut.

KQZ argumentoi se Prokuroria ka kryer një hetim të gjithanshëm për figurën e Malajt, nga i cili rezulton të jetë dënuar, por në momentin që ka filluar punë në administratë i ka mbaruar penaliteti.

Kujtojmë se Partia Demokratike denoncoi se kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj ka qenë i dënuar për plagosje dhe armëmbajtje pa leje dhe dënimi i formës së prerë me 10 muaj burg, e bënte atë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksioneve.

Sipas PD-së, më 7 tetor të vitit 1999, Agron Malaj është dënuar nga Gjykata e Matit me 10 muaj burg për “plagosje me dashje” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”.

Nisur nga kjo, PD kërkoi t’i hiqej mandati.

Statusi i plotë i Kryetarit të PD Mat Arjan Lika:

Në ditën kur çdo socialist i ndershëm i Matit heshti i mundur nga turpi se në emër të Partisë së tyre, në krye të institucionit më të rëndësishëm të qytetit u ngjit një i dënuar me burg, njeri i paligjshëm e i pavotuar, përmes një proçesi fars, me dhunë policore e shantazhe, zëdhënësi i kryetarit të Bashkisë Mat, njeriu me tre rroga lëshoi kakarisjen e rradhës. Ish-gazetari i zellshëm i Zërit të Popullit me stilin bajat na bëri të provojmë një shije që mendonim se e kishim lënë pas, shijen e propogandës së neveritshme të kohës së PPSH.

Me dashurinë e pamasë për kryetarin ilegjitim, zëdhënësi i tij, mashtroi qytetarët e Matit, duke fshehur faktin se një i dënuar me burgim për plagosje e armëmbajtje pa leje, nuk mund të jetë Kryebashkiak. Këtë nuk e thotë Partia Demokratike, por ligji i dekriminalizimit, që shefi i tij në Tiranë, u detyrua ta votonte në vitin 2015, duke na bërë vendin e vetëm në Europë, që ndalojmë me ligj penetrimin e krimit në institucione, a thua se nuk mjafton vullneti politik për të mos promovuar në pozicione publike individë me rekorde kriminale. Por kur vullneti mungon, detyrohesh të bësh ligj, për ta bërë të detyrueshme vullnetin e shumicës së shqiptarëve: Jo promovimit në institucionet e shtetit të individëve me rekorde kriminale.

Mati, ashtu sikurse Shqipëria, ka djem e vajza të talentuara, që në rini nuk kanë “gabuar” duke bërë krime, por kanë studiuar dhe janë bërë të zotët e vetes. Këta duhen afruar dhe promovuar, jo ata që në rini në vend të dijes, zgjodhën krimin.

Duhet aftësi e veçantë të mos ndiesh pendesë e turp, për poshtërimin që i bën qytetit ku je lindur, duke i propozuar si qytetar të parë një person të dënuar. Duhet aftësi e veçantë për tu vetposhtëruar, kur me çka thua gajaset qyteti e turpërohet kushdo që të rri pranë. Duhet kurajo e madhe të mbrosh e të shpallësh hero dikë që ligji e ka shpallur fajtor, duke e dënuar me burg.

Kryetari i PS Mat i cili part time bën dhe zëdhënësin e Kryetarit të Bashkisë e ka këtë cilësi, as turpërohet e as skuqet dhe kur thotë marrëzira dhe kur thotë gënjeshtra, dhe kur e tallin apo kur e përçmojnë.

Duhet të jesh Hasan e të mos skuqet faqja kur flet në emër të qytetarëve të Matit e të guxosh të flasësh për vota e të zgjedhur prej qytetarëve, kur më pak se 7% e qytetarëve të detyruar me bukën e gojës dolën në Burrel në votimet farse të 30 qershorit. Duhet të jesh Hasan që të gënjesh qytetarët, vetëm e vetëm per të përfituar vetë dy apo tre rroga, që nuk të blejnë as nderin e as dinjitetin. Duhet të jesh Hasan të kesh kurajon të flasësh për këto në Mat. Për fat të mirë Mati ka vetëm një Hasan të tillë, Mati e njeh mirë Hasanin e përçmon e kur ia ka ngenë e tall e përqesh.

Une sot kam marrë dhjetra mesazhe nga socialistë të ndershëm matjanë, nga njerëz me të cilët na ndajnë idetë e bindjet politike, por na bashkon përkushtimi i ndershëm për qytetin tonë e fatin e fëmijeve tanë. Sot socialistët e Matit janë të turpëruar. Janë të turpëruar se një i paligjshëm në krye të Bashkisë e një Hasan në krye të partisë janë pamja më e shëmtuar e qytetit tonë, që nuk përfaqëson as socialistët e as qytetarët pa parti.

Qytetarët e Matit, edhe socialistët e ndershëm të qytetit, e dinë mire se Partia Demokratike nderon e respekton votën dhe verdiktin e çdo qytetari. Qytetarët e Matit mezi presin ditën kur me votën e tyre të lirë të çlirojnë Matin nga Hasani e padroni i tij. Qytetarët e Matit e dinë mirë se kjo ditë është afër dhe se koha e hasanëve e të dënuarve në qeverisje do të marrë fund shumë shpejtë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit