Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë vënë në pranga mbrëmjen e sotme në Durrës, Adi Çobën, një nga emrat kryesorë të dosjes “Ura”, i shpallur në kërkim nga autoritetet italiane për përfshirje në organizatë kriminale dhe trafik ndërkombëtar droge.
Sipas burimeve, 34-vjeçari u arrestua në një banesë në qytetin e Durrësit, ku qëndronte i fshehur. Operacioni është zhvilluar ekskluzivisht nga BKH, pa mbështetjen e Policisë së Shtetit, duke shënuar rastin e parë kur një arrestim i këtij niveli kryhet vetëm nga agjentët e Byrosë.
Aksioni vjen vetëm pak orë pasi kreu i SPAK, Klodian Braho, deklaroi publikisht se institucioni po ndërton kapacitete për të realizuar vetë arrestimet në raste të veçanta. Arrestimi i Çobës duket se është prova e parë konkrete e kësaj strategjie.
Emri i Adi Çobës u bë publik pas operacionit ndërkombëtar “Ura”, i cili goditi një prej rrjeteve më të mëdha të trafikut të lëndëve narkotike mes Shqipërisë dhe Italisë. Ndonëse deri atëherë nuk figuronte si person me precedentë në Shqipëri, në dosjen e autoriteteve italiane ai konsiderohet si organizatori dhe drejtuesi i grupit kriminal.
Sipas hetimeve, Çoba koordinonte nga Shqipëria furnizimin me heroinë dhe kokainë, si edhe transportin e drogës drejt Italisë, duke drejtuar aktivitetin e anëtarëve shqiptarë dhe italianë të organizatës. Prokurorët italianë pretendojnë se ai kishte rolin kryesor në organizimin e dërgesave të drogës që vinin nga Shqipëria dhe Holanda.
Hetimet janë mbështetur në komunikimet e zbërthyera nga platforma e enkriptuar SkyECC, si edhe në dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Nuredin Dumani. Edhe pse rrallë përmendet në biseda, sipas dosjes italiane, të gjitha provat e identifikojnë Çobën si personin që drejtonte rrjetin nga prapaskena.
Në dokumentet hetimore ai përmendet edhe si bashkëpunëtor i Visi Pojës, i cili kishte rol në organizimin e dërgesave të drogës drejt Italisë. Një prej episodeve të dokumentuara lidhet me janarin e vitit 2022, kur rreth 25 kilogramë heroinë u transportuan nga Shqipëria në Itali, por u sekuestruan nga autoritetet italiane përpara se të shpërndaheshin në treg.
Adi Çoba, i lindur më 7 gusht 1991 në Durrës, njihej në rrethin e grupit kriminal edhe me nofkat “Bazholi”, “Bisha”, “I shëndoshi” dhe “Cigani”, emra që përmenden edhe në materialet hetimore të autoriteteve italiane.