Furnizimi me ujë 24 orë mbetet ëndërr në sirtar në Shqipëri

Furnizimi me ujë 24 orë mbetet ëndërr…

Furnizimi i pandërprerë me ujë vijon të mbetet një problem për pjesën më të madhe të vendit. Sipas të dhënave të ERRU-së për vitin 2025, nga 17 operatorët e analizuar vetëm Ujësjellësi Rajonal Lezhë raporton furnizim 24 orë në ditë. Në skajin tjetër renditet Kamza, me vetëm 4 orë furnizim mesatar në ditë, ndërsa Vora furnizohet rreth 8 orë. Në kategorinë e performancës së dobët, me më pak se 17 orë ujë në ditë, përfshihen edhe Durrësi me 10.9 orë, Vlora me 13 orë dhe Kukësi me 14 orë. Kamza dhe Vora kanë ruajtur të njëjtin nivel furnizimi gjatë tre viteve të fundit.

Durrësi ka shënuar përkeqësimin më të madh gjatë vitit 2025, pasi furnizimi ka rënë nga 13 orë në vitin 2024 në 10.9 orë, ose 2.1 orë më pak ujë në ditë. ERRU e lidh këtë rënie me problematikat në funksionimin e sistemit SCADA. Rënie të furnizimit janë regjistruar edhe në Gjirokastër me 0.6 orë, Korçë me 0.5 orë dhe Shkodër me 0.4 orë. Ndërkohë, pas Lezhës, rezultatet më të mira i kanë Pogradeci me 23.9 orë dhe Korça me 23.5 orë ujë në ditë. Korça mbulon 99% të popullsisë së raportuar në juridiksionin e operatorit, ndërsa Pogradeci 90.9%. Në Lezhë, pavarësisht furnizimit 24 orë, mbulimi i popullsisë është vetëm 55.9%.

Në Tiranë, furnizimi mesatar është 17 orë në ditë dhe ky tregues ka mbetur i pandryshuar gjatë tre viteve të fundit. Në nivel sektori, mesatarja e furnizimit arrin në 17.2 orë në ditë, nën kufirin prej 18 orësh që ERRU e konsideron si performancë të mirë. Ndër faktorët që vijojnë të kufizojnë furnizimin e pandërprerë renditen humbjet e larta në rrjet, lidhjet e paligjshme, faturimi aforfe dhe infrastruktura që kërkon rehabilitim, duke bërë që furnizimi 24 orë të mbetet ende një përjashtim dhe jo standard në të gjithë vendin.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit